5-vjetori i anëtarësimit në NATO/ Rama: Liria nuk është falas, të gatshëm të paguajmë çmimin. Reformë e thellë në siguri

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Transformim rrënjësor i instrumenteve të sigurisë kombëtare

“Mirënjohje për radhët e politikës që realizuan reformat, të cilat ishin parakusht për anëtarësimin”

 

rama fjalim per NATONë 5-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Rama, duke cituar Presidentin amerikan Barack Obama, deklaroi se liria nuk është falas dhe se Shqipëria është e gatshme të paguajë çmimin e saj. Sipas kreut të qeverisë, gjaku i kapitenit Feti Vogli vërtetoi këtë frazë e në këtë kontekst, rinënvizoi ai, zhvillimet e fundit në Ukrainë janë prova e aktualitetit të Aleancës Atlantike. “Obama tha pak ditë më parë se situata në Ukrainë na kujton se liria nuk është falas. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e lirisë sonë në çdo përmasë. Lirinë nuk mund ta kemi falas. Pjesëmarrja në këtë Aleancë e bën barrën tonë më të lehtë, çmimin e lirisë sonë shumë më të merituar. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë në NATO, gjaku i dëshmorit tonë kapiten Feti Voglit dhe gjaku i shumë djemve dhe vajzave në gjirin e forcave aleate në frontet ku kjo aleancë lufton për lirinë dhe sigurinë janë dëshmia më kuptimplotë e çmimit të lirisë, por edhe prova më e padiskutueshme e forcës së besëlidhjes sonë të madhe euroatlantike”, – u shpreh Rama në ceremoninë e organizuar dje në Ministrinë e Mbrojtjes, ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë ushtarakë të vendit, ministrja Kodheli si edhe ambasadorë. Nga ana tjetër, në këtë ceremoni mungoi kreu i shtetit, Bujar Nishani, i cili refuzoi ftesën e qeverisë, duke theksuar se mungesa e axhendës së aktivitetit përbënte një fyerje ndaj institucionit të Presidentit.

 

Reforma

Për Kryeministrin, përgjegjësia për të mbajtur edhe barrën e të tjerëve është një nga detyrimet më të mëdha për nga serioziteti i Shqipërisë në historinë e saj. Nisur nga kjo, Rama theksoi se qeveria po punon për transformimin rrënjësor të instrumenteve të sigurisë kombëtare, duke përfshirë edhe modernizimin e forcave ushtarake si edhe të shërbimeve inteligjente. “Ne po punojmë për realizmin e një programi të tërë transformimi rrënjësor të instrumenteve të sigurisë kombëtare. Hartimi i dokumentit të parë të strategjisë së sigurisë kombëtare, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO; reforma e thellë ligjore dhe strukturore e institucioneve të sigurisë; modernizmi i vazhdueshëm i forcave të armatosura, policisë së shtetit, shërbimeve inteligjente dhe strukturave te tjera ligj zbatuese janë sot, prioritete të dorës së parë dhe janë sot në rendin e ditës së punës sonë me mish e me shpirt, si qeveri e Shqipërisë për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri serioze dhe gjithnjë të përgjegjshme në tryezën e madhe të vendimmarrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut”, – u shpreh ai. Në ceremoni, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për ata që mundësuan këtë arritje historike për vendin, duke vlerësuar të gjitha kombet dhe qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s që e mbështetën projektin e madh të integrimit të Shqipërisë. “E po ashtu, mirënjohjen e respekt të thellë meritojnë të gjithë ata shqiptarë, ndër Forcat e Armatosura, administratën shtetërore, shoqërinë civile, radhët e politikës pa dallim që realizuan në praktikë reformat e mëdha, të cilat ishin parakusht për anëtarësimin”, – tha ai. Ndërkohë, në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, kujtoi angazhimet e para të Shqipërisë përkrah vendeve të NATO-s, deri në anëtarësimin e plotë të saj, me qëllim vendosjen e paqes dhe sigurisë globale. Ministrja u shpreh krenare për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe ndihmën që dha Shqipëria. “Ne jemi të vendosur të qëndrojmë me këtë aleancë, të zbatojmë me vendosmëri reformat e nevojshme”, – tha ministrja.

 

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

 Më 1 prill të vitit 2009 Shqipëria u bë anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s, ku së bashku me Kroacinë, u bënë vendet e 27-ta dhe të 28-ta të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë. Anëtarësimi i Shqipërisë u konsiderua shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan, ndërsa shënoi dhe një arritje historike në përpjekjet e vendit për liri dhe siguri. Anëtarësimi u konsiderua gjithashtu një ngjarje historike për Shqipërinë, pasi shënoi fundin e një rruge të gjatë të izolimit afro 50-vjeçar të regjimit komunist dhe për të konsoliduar një shtet demokratik në dy dekadat e fundit. Shqipëria tashmë nga një vend që kishte nevojë për siguri është shndërruar në një vend që prodhon siguri.

 

 

Refuzimi/ Presidenti s’merr pjesë te ceremonia për NATO-n: Ftesa një fyerje, aktivitet pa axhendë

Presidenti i Republikës, njëherësh edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, refuzoi dje ftesën e Ministrisë së Mbrojtjes për të marrë pjesë në ceremoninë e 5-vjetorit të anëtarësimit të vendit në NATO. Mësohet se Ministria e Mbrojtjes i ka dërguar një ftesë Presidentit, por pa saktësuar rolin e tij në ceremonial, gjë e cila duket se ka sjellë edhe mungesën e kreut të shtetit. Në ftesën që ka mbërritur në zyrën e Presidentit nuk gjendet asnjë detaj mbi axhendën e ceremonisë apo mundësinë që si komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të përshëndeste trupat me një fjalim. Ftesa për të duket e njëjtë me ato të rezervuara për trupin diplomatik të akredituar në vend. Këtë qëndrim e konfirmuan edhe burime nga Presidenca, të cilat pohuan se në adresë të kreut të shtetit ishte dërguar një ftesë për pjesëmarrje, e cila nuk shoqërohej me axhendën përkatëse të aktivitetit. Marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe mazhorancës kanë kohë që janë të acaruara, ku përplasjet e para nisën që kur qeveria “Rama” që në mbledhjen e saj të parë në shtator, fill pas betimit te Presidenti, vendosi të hiqte foton e tij nga zyrat e shtetit. Po ashtu rrëzimi i dy kandidaturave për Gjykatën e Lartë si edhe kritikat ndaj tij nga ministri i Brendshëm lidhur me çështjen e SHISH-it janë pjesë e këtij konflikti të hapur që vazhdon prej muajsh. Ndërkohë ,rasti i kundëradmiralit Gërvenji dhe funksionit të tij në NATO është vetëm i fundit në përballjet dypalëshe.

 

 

Letër falënderimi/ Nishani, Obamës: Shqipëria, e përkushtuar për paqen e sigurinë globale

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani, i ka dërguar një letër falënderimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit nënvizoi se Shqipëria dhe SHBA-të gëzojnë një partneritet të pathyeshëm e të veçantë. “Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura e kanë provuar tashmë veten se janë partnere krenare, aleate besnike e të besueshme të NATO-s. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar si dhe të Komandantit të Përgjithshëm dëshiroj t’ju siguroj mbi vazhdimësinë e përkushtimit të plotë të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale si dhe mbi rolin vendimtar të Shqipërisë për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajonin dikur aq të trazuar të Ballkanit”, – shkruante në letër Nishani. Po ashtu, Presidenti Nishani i ka dërguar dje edhe një letër falënderimi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në të cilën theksohet mirënjohja e vendit tonë, anëtares më të re të Aleancës, për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Aleanca u ka dhanë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Share it :