130 mln euro për inceneratorët, 4 miliardë për portin’/ Spahia: Rama i përfshirë në megaaferat korruptive, Balluku nën mbrojtjen e tij
Në një deklaratë pë media, pas seancës parlamentare, deputeti i PD Bardh Spahia u shpreh se shumica qeverisëse po vepron si një “organizatë kriminale” duke përdorur forcën e kartonëve për të mbrojtur persona të përfshirë në afera të bujshme.
Në qendër të deklaratatës së tij, ishte mbrojtja që mazhoranca i bëri ministres Belinda Balluku, e cila u cilësua si një mbrojtje de-facto për kryeministrin Edi Rama.
Spahia tha se Rama është i përfshirë thellësisht në mega-aferat korruptive, të cilat tashmë po faktohen nga organet e drejtësisë. Ky veprim, buron nga “frika dhe tmerri” që ka kapluar kryeministrin dhe mazhorancën përballë zbardhjes së përfshirjes së tyre në këto skema.
Gjatë deklaratës u listuan një sërë aferash të dyshuara korruptive, ku theksohet se paratë e taksapaguesve shqiptarë janë vjedhur në shifra marramendëse. Konkretisht, u përmendën: • 130 milionë euro për aferën e inceneratorëve. • 650 milionë euro për koncesionet në shëndetësi. • 4 miliardë euro për projektin e Portit të Durrësit.
Këto raste, sipas deputetit, dëshmojnë se mazhoranca është “e zhytur në krim dhe korrupsion”.
Në përfundim të fjalës së tij, Spahia theksoi se qytetarët ishin dëshmitarë të faktit se si shumica parlamentare po përdor fuqinë e saj politike për të mbrojtur hajdutët që kanë abuzuar me fondet publike, akuza këto që tanimë nuk vijnë vetëm nga opozita, por po hetohen edhe nga Prokuroria e Posaçme.
Deklarata e plotë:
“Parlamenti shqiptar u bë mburoje e një vjedhje dhe një hajdutërie të pashoqe përpara.
Në fakt sot pamë në të vërtetë një organizatë kriminale në veprim teksa nëpërmjet forcës së kartonëve, ato që do të duhej të ishin mbrojtësit e interesit publik dhe qytetar, u bënë mburoje e një personi të kapur në flagrancë në vjedhje dhe në korrupsion masiv.
Në të vërtetë, mbrojtja që kjo mazhorancë i bëri sot Belinda Ballukut ishte mbrojtje për Edi Ramën, i cili është i përfshirë thellësisht në mega aferat korruptive, të cilat nga dita në ditë po faktohen tashmë nga organet e drejtësisë.
Është evidente frika dhe tmerri që ka kapur Edi Ramën dhe këtë mazhorancë nga dalja në sipërfaqe, dalja në publik e përfshirjes së Edi Ramës dhe enturazhit të tij të ngushtë në aferat korruptive.
Mjafton të përmendim këtu 130 milionë eurot e vjedhura nga taksa, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për inceneratorët, 650 milionë eurot e vjedhura nga po nga taksapaguesit shqiptarë për koncesionet në shëndetësi, 4 miliardë euro për portin e Durrësit, të vjedhura gjithashtu nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Apo aferat korruptive të cilat shohin të përfshirë direkt Edi Ramën në aferën e tunelit të Llogarasë apo në lotet e unazës së Tiranës.
AKSHI, oborri privat i Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, e të tjera e të tjera. Pra nga do ta kapësh, çdo ditë kjo mazhorancë faktohet tanimë e zhytur në krim dhe korrupsion.
Sot qytetarët shqiptarë patën rastin të shohin fare mirë se si kjo mazhorancë po bëhet mburoje politike me forcën e kartonëve për hajdutët të cilët kanë abuzuar sipas deklarimeve të Prokurorisë së Posaçme, tanimë jo nga deklarimet vetëm të opozitës”.






