Sot të protestojmë kundër diktaturës së re’/ Gjin Gjoni: Qytetarët të dalin masivisht
Në selinë e PD-së tashmë kanë nisur të grumbullohen mbështetësit demokratë të cilët në orën 18:00 do të bashkohen në protestën para kryeministrisë.
Protesta e sotme përkon me datën e rrëzimit të diktatorit Enver Hoxha.
Është një protest kundër diktaturës së re që po lind në Shqipëri’ thotë deputeti demokrat Gjin Gjoni në një prononcim për gazetarin e Syri Tv, Klajdi Bodlli.
Deputeti demokrat thotë se të shumtë janë qytetarë lezhjanë që do i bashkohen sot protestës.
‘Protesta e sotme është në të njëjtën datë dhe korrespondon me datën e rrëzimit të diktatorit Hoxha. Padyshim që kjo ka një simbolikë në vetë mënyrën e organizimit, por njëkohësisht është edhe një protestë kundër një diktature të re e cila po rilind sot në Shqipëri. Unë sot kam qenë në qarkun e Lezhës dhe jam marrë dhe me organizimin e njerëzve për t’u paraqitur dhe për të ardhur sot në në protestë. Rezulton që ka një mobilizim të shtuar të të gjithë njerëzve, strukturave të Partisë Demokratike, por edhe njerëzve të paangazhuar për herë të parë, të cilët kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për t’u paraqitur dhe për të qenë pjesë e kësaj proteste. Padyshim që kjo protestë do të jetë në formë dhe në skenar komplet të ndryshëm nga protestat e tjera. Patjetër që do ketë një ngritje temperature tjetër dhe padyshim po të shihni nga njëra protestë në tjetrën ka një skenar të ndryshëm dhe ka një mobilizim më të madh të njerëzve. Edhe kjo protestë do jetë më e madhe sesa protesta e radhës së fundit dhe padyshim që do ketë përshkallëzim në protestat e ardhshme, të cilët besoj që Partia Demokratike do i njoftojë të shpejta dhe do kalojë në skenarë të tjerë të cilët nuk janë bërë publike deri në momentin aktual” tha Gjoni.
Gazetari i Syri Tv: Do të shkoni sërish drejt kuvendit apo është ende sekret për publikun dhe për mediat?
Gjin Gjoni: Ashtu siç kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar, edhe unë mund të them që skenari është mister, sepse në rast se do të zbulohet skenari, atëherë cila do të jetë edhe e papritura e protestës? Kështu që, në përgjithësi janë qytetarët ata dhe protestuesit të cilët do ndërtojnë edhe skenaret e tyre në lidhje me këtë protestë dhe padyshim që do jetë një protestë jashtëzakonisht shumë e fuqishme falë edhe kushteve të motit të cilat ditën e sotme dhe në momentin aktual po përmirësohen.
Gazetari i Syri Tv: Ju zoti Gjoni thatë që nga qarku i Lezhës keni parë një angazhim jo vetëm të mbështetësve të Partisë Demokratike, por dhe qytetarëve të paangazhuar. Teksa duhet dhe rreth 30 minuta për të nisur protesta, a keni një thirrje për ndoshta për ata qytetarë që ende nuk janë bindur që të bëhen pjesë e protestës, ndoshta ato që janë në Tiranë dhe që e kanë më të lehtë për të ardhur dhe për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga opozita?
Gjin Gjoni: Padyshim që jemi në një muaj të të të shenjtë si për besimtarët myslimanë ashtu edhe për besimtarët katolikë, sepse të dy palët e besimtarëve sot myslimanët janë në Ramazan, ndërsa të krishterët janë në kreshme, dhe u uroj një agjërim të lehtë dhe plot shpresë, por edhe të pranuar nga ana e e tyre.
Qytetarëve të Tiranës i bëj thirrje të dalin në mënyrë masive. Sepse dalja në protestë e qytetarëve të Tiranës, padyshim që bën edhe ndryshimin.






