Deklaratat e Ramës për pagat, Shoqata e Gjyqtarëve: Fushatë populiste për delegjitimimin e Kushtetueses
Shoqata e Gjyqtarëve i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili vazhdimisht ka deklaruar se kërkesa për të rritur pagën e tyre është absurde.
Në një deklaratë, Shoqata e Gjyqtarëve deklaron se ‘e gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese’.
Sipas Shoqatës, ata kërkojmë që të përcjellin publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, duke e cilësuar këtë “term i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes”.
Sipas tyre deklaratat e Kryeministrit janë “një qëllim keqdashës i fushatës publike të nisur për ta shndërruar procesin gjyqësor kushtetues në gjyq popullor”.
“E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i vetëm që duhet të dëgjohet është ai i Gjykatës Kushtetuese” – thuhet ndër të tjera në deklaratë.






