Zvarritja e çështjes Balluku, Gjokutaj: Ja pse Gjykata Kushtetuese ka bërë autogol

Zvarritja e çështjes Balluku, Gjokutaj: Ja pse Gjykata Kushtetuese ka bërë autogol

Avokati Genc Gjokutaj denoncon zvarritjen dhe shkeljen e parimeve të ligjit nga pushteti, duke treguar se shteti po funksionon në mënyrë selektive dhe jashtë parashikueshmërisë ligjore, si një “bandë” ku forca politike dominon mbi institucionet.

I ftuar në emisionin “Task Force”, në Syri Tv, avokati Genc Gjokutaj theksoi se situata politike dhe juridike në vend po tregon një drejtësi selektive dhe zvarritje të skandaloze të proceseve, duke paralizuar funksionimin normal të institucioneve.

Ai kritikoi mënyrën se si çështja e zyrtarëve të lartë, përfshirë rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe çështjen Balluku, është trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, ku vendimet zvarriten pafundësisht, ndërsa urgjencat politike shfrytëzohen sipas interesave të mazhorancës.

Gjokutaj kërkoi respektimin e rregullave dhe parimeve ligjore, funksionimin e Gjykatës në mënyrë të parashikueshme dhe të paanshme, dhe të mos përdoren institucionet për të shërbyer lojërave politike, duke nënvizuar se zvarritja dhe standardi i dyfishtë po cenon thelbin e shtetit të së drejtës.

Pjesë nga deklarata:

Ne e kemi thënë me kohë dhe nuk mbetet gjë tjetër veçse ta përsërisim. Ky shtet vepron me parimet e një bande, ku krahu më i fortë i bën presion krahut më të dobët. Pra, këtu nuk ka bashkëpunim institucionesh. Këtu nuk ka zbatim të ligjit. Këtu halli i Edi Ramës është norma juridike, të cilën e krijojnë në mëngjes dhe e anulojnë në darkë, sapo të mbarojnë punë. Pra, një normë njëpërdorimshe.

Shikoni rastin e kësaj që thonë të presim Gjykatën Kushtetuese. Keni rastin e Berishës, ku ne kemi kërkuar pezullimin në Komisionin e Mandateve dhe Imuniteteve, sepse për dy-tre ditë do të bëhej gjyqi i një të pestës së deputetëve në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht me objektin që Kuvendi e kishte në dorë. Dhe ata, me një shpejtësi marramendëse, dhanë autorizimin për arrest brenda sekondash, me argumentimin se këto ishin urgjente dhe nuk prisnin, madje edhe me paralajmërimin e Çuçit, përpara se të mblidhej Komisioni i Mandateve.

Ndërsa në këtë rast, këta e shtyjnë pafundësisht. Jo vetëm duke e shtyrë, jo vetëm duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese kur s’ka lëndë kushtetuese, por duke e zvarritur pafundësisht, ndërkohë që kjo shtyrje ka bllokuar rrugën e zakonshme të ankimit. Pra, ka bllokuar apelin në GJKKO, Gjykatën e Lartë dhe vetë Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka bërë një autogol, sepse ka bllokuar vetveten për të gjykuar rrugët normale të ankimit. Marrëzira të tilla asnjë legjislacion nuk mund t’i parashikojë, sepse është subjekti që duhet të respektojë ligjin dhe jo ligji t’i serviloset subjektit.

Tashmë mund të flasim realisht se nuk kemi të bëjmë me një jetë parlamentare apo kushtetuese, nuk kemi të bëjmë me një legjislacion dhe me një gjyqësor që ecin sipas parashikimeve të ligjit dhe sipas jurisprudencës së konsoliduar. Në fund të fundit, ky është një avion që ka dalë nga kontrolli dhe që bie në një trajektore të çrregullt.

Share it :