Në pritje të një “refresh-i” që nuk vjen: bizneset dhe qytetarët përballë dështimit të shtetit digjital

Në pritje të një “refresh-i” që nuk vjen: bizneset dhe qytetarët përballë dështimit të shtetit digjital

Nga Jorida Tabaku
Shqipëria si “Fshat Potemkin” ka qenë dhe mbetet përshkrimi më i saktë i kësaj qeverie. Një marketing i shkëlqyer dhe një ambalazh modern, që fsheh një shtet të korruptuar, të padrejtë dhe larg çdo standardi europian. Çarjet e kësaj fasade i shohim sa herë që del në dritë një dosje e madhe korrupsioni. Por në rastin e AKSHI-t, të akuzuar nga SPAK si grup i strukturuar kriminal, këto çarje u shndërruan në një blackout real, me pasoja të drejtpërdrejta mbi jetën e qytetarëve dhe aktivitetin ekonomik.

Për ditë me radhë, sistemi e-Albania ra në kolaps: biznesi ngriu, pagesat e të vetëpunësuarve u bllokuan dhe sipërmarrësit e vegjël mbetën peng të një faqeje të vdekur të e-Albania-s që nuk hapet kurrë. Ndërkohë që vendi paralizohej, drejtuesit përgjegjës u zhdukën nga skena publike.

Kjo nuk është një krizë teknike e rastësishme, por është pasqyra e saktë e mënyrës se si është ndërtuar shteti digjital në Shqipëri, madje edhe vetë qeveria.

Ekspertët flasin për një sistem të ngritur “shkel e shko”, të fragmentuar, pa standarde sigurie dhe pa testime reale, i projektuar jo për t’u shërbyer qytetarëve, por për të justifikuar mbi 400 milionë euro të shpenzuara vetëm në katër vitet e fundit, që i shkonin një njeriu.

E-Albania nuk është një platformë shërbimesh moderne, por një rrjet varësish ku mjafton të bjerë një hallkë që të paralizohet gjithçka: nga tatimet te regjistrat e biznesit. Kur hallka Agasi ra, pasi SPAK e ka në kërkim, atëherë edhe fasada u rrëzua.

Të gjithëve na kujtohet mania e Kryeministrit për të shpikur “ADiellën”, vetëm për të zënë faqet e para të mediave. Sot është më e qartë se kurrë: inteligjenca artificiale në duart e një qeverie të kapur nga korrupsioni nuk është risi, por është armë. Një mjet për intimidim, kontroll dhe propagandë, jo për shërbim publik.

Tragjedia thellohet kur kupton se përqendrimi i pushtetit në duart e individëve pa mandat politik ishte aq ekstrem, sa ata kontrollonin jo vetëm tenderat, por edhe mirëmbajtjen e vetë “frymëmarrjes” digjitale të shtetit. Miliona euro janë mbuluar me mirëmbajtje qesharake, ndërsa kodi dhe konfigurimet kritike mbetën në duart e kontraktorëve që sot operojnë në klimë frike dhe pasigurie ligjore.

Praktikisht, shteti u kthye në pronë private, ndërsa administrata e fryrë që paguhet nga taksat e qytetarëve u fsheh në momentin e krizës.

Sot qytetarët dhe bizneset e paguajnë këtë faturë trefish: një herë me taksat për tenderat miliona eurosh, një herë me taksat për administratën fiktive dhe së fundmi me humbjen ekonomike të shkaktuar nga ky Error 404 i shtetit.

Por jo çdo e keqe vjen për keq. Nëse dikush kishte ende pikëpyetje për punën e SPAK apo akuzat e opozitës për AKSHI-n, le të shohë sot sistemin e-Albania. Se si i gjithë shteti ka përfunduar i shantazhuar nga bandat dhe nga njerëzit afër Zv. Kryeministrit në hije, që sot, duke pasur nën kontroll gjithë infrastrukturën digjitale, po gjunjëzojnë një qeveri. Pikërisht kjo është arsyeja e kësaj shfaqjeje të turpshme që po shohim përditë, shqiptarët dhe bizneset. Ky sistem i degraduar dhe i pandershëm me shqiptarët po shkatërron çdo grimë të fasadës së një qeverie të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët.

Share it :