“Lirimi i bandës 5D” – Këlliçi: Sot u varros me ceremoni një dosje, vendimi i sotëm i dha dërrmën drejtësisë së re
Gjykata e Posaçme e Apelit zhbëri vendimin e Shkallës së Parë për 5 zyrtarët e Bashkisë Tiranë të arrestuar për dosjen 5D.
Ndonëse Egrantina Zere dhe vartësit e saj të Tirana Parking u provua se kanë krijuar avantazhe dhe privilegje te pamerituara ne tenderat e shpërndarë, Apeli i GJKKO-së nuk e pa të udhës t’i mbante në qeli por kërkoi vetëm shërbim prove.
Kjo nxiti reagimin e deputetit demokrat Belind Këlliçi, i cili në një deklaratë për median, tha se sot u varros me ceremoni një dosje, dhe i dha dërrmën drejtësisë së re.
Deklarata e deputetit të PD-së, Belind Këlliçi:
Më 26 prill 2023 bëra publike për herë të parë skemën 5D të Bashkisë së Tiranës.
Ishte si të ngrije kapakun e një arkivoli institucional dhe të kuptoje jo vetëm korrupsionin, por edhe kalbëzimin shtetëror të organizuar.
Një linjë e padëgjuar vjedhjeje, ku drejtorët e Bashkisë funksiononin si elemente të një grupi të strukturuar kriminal, me detyra të ndara, me firma të sinkronizuara për një qëllim të vetëm: zhvatjen 100% të parave publike.
Para publike të marra me tendera, me leje ndërtimi dhe me vulë shteti.
29 tendera, 30 milionë euro, 3 leje ndërtimi, të gjitha të futura në një ‘gojë’ të vetme, të hapur nga firma personale e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Menjëherë pas publikimit, depozitova kallëzimin penal në SPAK.
Hetimi i Prokurorisë, nën drejtimin e prokurorit Klodian Braho, faktoi plotësisht denoncimin dhe çoi për gjykim të gjithë zinxhirin drejtues të Bashkisë së Tiranës.
Për 44 javë me radhë protestuam përpara Bashkisë për një parim themelor e universal: vjedhja e parave publike nuk mund të amnistohet dhe dëmi duhet t’u kthehet qytetarëve.
Sot, Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin vendosi kapakun. Jo mbi krimin, jo! Por mbi drejtësinë. Mbi shpinën e dërrmuar të qytetarëve.
Drejtuesit e Bashkisë, përveç njërit, dolën nga salla jo si të penduar, por të larë, posi u rrëzuan edhe dënimet simbolike të shkallës së parë.
As burg. As kthim parash. As përgjegjësi.
Një dosje e varrosur me ceremoni nga një Drejtësi që sot prodhoi një kukull fajësie, një Alqi Bllako të dytë, që i varën të gjithë peshën e një grabitjeje kolektive.
Të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, me përjashtim të Mariglen Qatos, u shpëtuan nga përgjegjësia penale.
Si tek inceneratorët, ku janë zhvatur 200 milionë euro dhe fajin e mban një emër i vetëm, ndërsa sistemi u shpall i pafajshëm.
Ky vendim nuk mbylli vetëm një çështje, por zyrtarizoi një doktrinë ku krimi firmoset në qetësi me një stilolaps dhe firma për shefin është jelek antiplumb penal.
Nga sot, çdo nëpunës e di se mund të vjedhë, mund të firmosë, mund të zhvasë, sepse mbi të ka një çati të sigurt pandëshkueshmërie. Bindja shpërblehet.
Edhe për më naivin, vendimi i sotëm gjyqësor i dha dërrmën drejtësisë së re. Sot u dërgua mesazhi më i rrezikshëm që mund të prodhojë një shtet, kapitullimi karshi krimit të veshur me kostum institucional.
Gjyqtarët hoqën mantelin, morën çelësat e kasafortës, i dorëzuan tek dera e pushtetit, dhe sapo u thanë shqiptarëve:
‘Mos kërkoni më mbrojtje tek ne. Këtu ruhet vetëm krimi.’ Në mënyrë të veçantë krimi i organizuar dhe grupet e strukturuara kriminale.






