PD kërkoi interpelancë urgjente me Ramën për Ballukun, PS nuk e pranon! Bardhi: Duhej të ishin të dy të pandehur
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thotë se nuk e ka pranuar kërkesën e PD për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas argumentit të Peleshit, objekti i kërkesës për interpelancë është në Gjykatë Kushtetuese. Peleshi u shpreh se është ky organ, pra GJK që do japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve.
Kërkesa për interpelancë e opozitës u rrëzua me 74 vota pro.
I ashpër ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkoi prezencën e Ramës në Kuvend që ky i fundit të japë llogari për skandalin ku është përfshirë numri dy i qeverisë. Ai tha se Rama duhet të ishte marrë i pandehur bashkë me Ballukun, pasi autori sipas tij i vjedhjeve për tunelin e Llogarasë dhe të Unazës së Madhe është kryeministri.
Edi Rama sot ka vendosur ti fshihet Kuvendit. Ka një keqkuptim në përgjigje që i keni kthyer grupit parlamentar. Ajo që kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin është ndërhyrja e kryeministrit në një çështje në hetim. Mbajtja në detyre e një ministri të marrë të pandehur dhe nën hetimi dhe ngritja e pretendimeve në kërkesën që ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese në emër të Kuvendit pa e konsultuar Kuvendin e Shqipërisë. Ju folët që duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese , por çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe mbron të pandehurën ministre me video-selfie si një mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pra i fshihet deputetëve të Kuvendit dhe llogaridhënies në Kuvend. Kemi kërkuar që kryeministri të vijë të japë llogari se cili është motivi, dhe pse është bërë kryeministri i parë që ndërhyn në një çështje konkrete dhe ka kërkuar në emër të Këshillit të Ministrave shfuqizimin e vendimit të gjykatë kundër korrupsionit për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese ndaj të pandehurës Balluku. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin e Kryeministrit në avokatin ndaj një të pandehure. Ai e pranon përmes kërkesë që ka çuar që është bashkëfajtor me Ballukun dhe do të duhet të ishte marr bashkë i pandehur me Ballukun. Urdhëruesi i aferës së Llogarasë është Rama dhe lidhjen me kompaninë turke e ka bërë Rama”, tha ai.






