Leksion për Rama-Ballukun nga e korruptuara Federica Mogherini
Deputeti i PD, Belind Këlliçi, në një postim të fundit në rrjetet sociale, denoncoi sjelljen e qeverisë ndaj çështjeve të korrupsionit, duke e krahasuar me rastin e Federica Mogherinit dhe Stefano Sanninos. Ai theksoi se ndërsa figura të njohura ndërkombëtare kanë dhënë dorëheqjen pas implikimeve në skandale korruptive, zyrtarët shqiptarë si Edi Rama, Elisa Spiropali, Balluku dhe Veliaj vazhdojnë të shmangin llogaridhënien dhe trajtojnë hetimet antikorrupsion si kërcënim ndaj pushtetit të tyre.
Sipas Këlliçit, qytetarët shqiptarë mund të dallojnë qartë mes sjelljes së përgjegjshme të Mogherinit dhe Sanninos dhe qëndrimit të privilegjuar të qeverisë shqiptare, e cila nuk merr përgjegjësi për aferat e mëdha, si Tuneli i Llogarasë, me vlerë të paktën 50 milionë euro.
Deputeti i opozitës theksoi se koncepti i deformuar i demokracisë i përdorur nga qeveria, ku mbizotëron klientelizmi dhe përdorimi i parasë për patronazh politik, krijon një sistem ku paprekshmëria dhe privilegjet e politikanëve mbeten mbi çdo llogaridhënie.
Këlliçi nënvizoi gjithashtu rolin e Erion Veliajt, i cili përdor çdo mundësi për të ruajtur pushtetin dhe imunitetin personal, duke e bërë praktikisht të pamundur ndëshkimin e zyrtarëve të lartë.
Deputeti i PD e mbylli mesazhin duke bërë thirrje që zyrtarët e përfshirë në skandale të ndjekin shembullin e Mogherinit dhe Sanninos dhe të japin dorëheqjen, duke i hapur rrugë drejtësisë dhe restaurimit të besimit qytetar.
Postimi i plotë:
Leksion për Rama-Ballukun nga e korruptuara Federica Mogherini.
Me një akt të përgjegjësisë qytetare, Mogherini u mësoi kolegëve të saj në Shqipëri se si duhet të sillet një politikane e kapur në afera korruptive.
Mogherini dha menjëherë dorëheqjen, ashtu si i hetuari tjetër Stefano Sannino, duke marrë përgjegjësi dhe duke i lënë rrugë të hapur hetimit të plotë.
Qytetarët shqiptarë mund të bëjnë lehtësisht dallimin mes të korruptuarës Mogherini dhe të korruptuarve Rama, Balluku, Veliaj and co., në sjelljen e tyre ndaj drejtësisë, pas kapjes me presh në duar.
Ndryshe nga Mogherini dhe Sannino, Rama dhe Balluku, të akuzuar për një aferë prej të paktën 50 milionë eurosh në Tunelin e Llogarasë, jo vetëm që nuk e çojnë ndërmend dorëheqjen, por e trajtojnë hetimin antikorrupsion si shkelje të kompetencave kushtetuese dhe si cënim të rëndë të privilegjit të politikanit të zgjedhur!
Në konceptin e tyre të shtrembëruar të demokracisë përfaqësuese, marrja me para dhe patronazhistë e votës, është liçenca e përjetshme e hajdutërisë shtetërore.
Për të mos folur pastaj për Erion Veliajn i cili edhe nga burgu ngjitet pas karriges së tij të vjetër të kryebashkiakut, të cilën e mendon si garanci dhe imunitet për paprekshmërinë e tij.
Mogherini duket se u ka dhënë leksione të panumërta kolegëve të saj në Tiranë.
Është momenti që t’ia pranojnë edhe leksionin e fundit dhe ti bashkohen në aktin e dorëheqjes.






