EDI RAMA SËRISHMI PA ALTERNATIVË ELEKTORALE!

EDI RAMA SËRISHMI PA ALTERNATIVË ELEKTORALE!

Nga Enver Bytyçi

Kryetari i Partisë së Rilindjes, Edi Rama, para pak ditësh pati një takim me të rinjtë e kësaj partie. Pasi e cilësoi opozitën “kënetë”, u përpoq që shqiptarëve t’u japë alternativën e kënetës. Por për këtë reaguan shumë njerëz racionalë e me mend në kokë. Një prej tyre i shkroi: “Më vjen keq! Por vetëm për faktin se si shpreheni për opozitën në fjalimet tuaja, nuk meritoni ta udhëhiqni atë vend e atë popull”!
Kreu i Rilindjes dhe narco-shtetit u përgjigj edhe më me idhnim: “Një buf stërplak e ka kthyer opozitën në një kor zhabash e bretkosash, kuak kuak kuak ditë e natë. E rrokanisën shqiptarët kuak kuak kuak”. Dhe e justifikoi këtë gjuhë psikopatie me faktin se opozita “tre vakte në ditë merret me librin e shtëpisë time”! Ndërsa në tubimin me të rinjtë kryeministri sërishmi u mburr se paska sjellë drejtësinë në Shqipëri, ose se do të rivendosë shtetin e së drejtës.

Nuk po zgjatem më tej. Çdokush sheh në këto deklarime tri prirje, tri tipare dhe karakteristika:

Së pari, se Edi Rama po e mbështet fushatën elektorale, njësoj sin ë vitin 2017 dhe 2021 në manipulimin e opinionit publik. Pra në rrenat e gënjeshtrat e veta. Thotë se ka bërë drejtësi. Por në fakt reformën e gjyqësorit e shndërroi në trampolinë të mbrojtjes së paligjshmërive të veta. Një fakt: – Nuk po pajtohet me atë se nga nëntë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, shtatë i ka në xhepin e tij. Kërkon me çdo kusht që edhe dy të tjerët të jenë njerëzit e rrethit të familje. Pse? Sepse këta të dy mund të prishin skemën, të zbulojnë komplotet, të “spiunojnë” te ndërkombëtarët dhe te opozita. Ndryshe nuk ka pse të turret për t’ua ndërpre mandatin gjykatësve që nuk i ka në rrjeshtin e tij! Ndërkohë flet për shtetin e së drejtës, kur këtë nocion e ka përçudnuar në qeverisjen e tij në tri mandate?! Nuk ka shqiptar që nuk ka mësuar se tek ne “Shteti është Edi Rama dhe jo e drejta”!

Së dyti, edhe kjo fushatë duket se do të bazohet në fyerje, linçime dhe etiketime prej klouni. Fjalori i tij për opozitën i ngjan atij fjalori që përdori në fushatën e vitit 2021. “Kënetë”! “Buf stërplak”! “Kor zhabash e bretkosash”! Ky fjalor më ngjan si ajo letra që në vitin 1996 e shkroi Mero Baze në emër të Fatos Nanos, pasi ai e kishte takuar liderin socialist në Bënçë dhe i kishte marrë një intervistë për Zërin e Amerikës. Letra në emër të Fatosit u shkrua nga Mero dhe u botua në gazetën “Albania”. Ajo letër adresohej te Servet Pëllumbi dhe kishte në përmbajtje shprehjet e sotme të Edi Ramës. Nuk është nevoja të themi se “plaku” Sali Berisha është më i ri se Edi Rama, megjithëse ka 20 vite më shumë. Shqiptarët patën rastin që t’i shohin të dy në të njëjtën pamje gjatë ceremonisë mortore të Janullatosit. Mund ta shohin videon çdo minutë dhe do të dallojnë se Rama është më plak se Sali Berisha. Por kjo ka pak rëndësi. Nëse Rilindja do ta adresojë fushatën në këtë hulli, ajo qëllimisht i shmanget debatit për alternativë, program dhe vizionin qeverisës.

Vitet e jetës nuk janë kriter dhe as bazë për të konkurruar në politikë. Konkurrenca bazohet në projekte, programe dhe vizionin e zhvillimit të vendit. Programet nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e narko-shtetit. I vetmi slogan propagandistik i Ramës është integrimi brenda vitit 2030 i Shqipërisë në BE. Edhe kjo një rrenë e pastër, njësoj si rrena e Durrës-Marinës e vitit 2020 – 2021. Njësoj si rrenat e pafund të vitit 2013! Kush ka dëgjuar Edi Ramën në fushatat e kaluara e di se asgjë nga ato që ai thotë nuk bëhet realitet! Mashtrues klasik me fjalë, me gjeste e me gjithçka. Ndërkaq opozita po jep çdo ditë vizionin e saj për qeverisje në interes të qytetarëve.

Së treti, duket se fushata elektorale e Edi Ramës do të jetë fushatë për mbrojtjen e krimeve dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar dhe bandat mafioze. Kur akuzon opozitën se “tre vakte në ditë merret me librin e shtëpisë së tij”, ai shpreh një siklet të madh. Edi Rama po përpiqet të mashtrojë publikun e t’u thotë se “Akuzat e opozitës ndaj tij, Olsit e Lindës nuk janë të vërteta”! Në fakt ato janë më e shumta 10 për qind e së vërtetës. Sepse 90 për qind e ligësive dhe paligjshmërive të Edi Ramës ende, askush nuk i ka artikuluar! Sa do rrojmë e sa shumë do të mësojmë për to!

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko