Nga Alba Kepi/
Ekzistojnë komplote njerëzore, poltike, sociale, fetare, institucionale e ekzistojnë dhe komplot arti.
I tillë është Komploti i Tiranës, i kryer më vitet 2000 – 2001 me Kryetar Bashkie KM aktual Edi Rama
Pak ditë më parë u nda nga jeta një nga fotografët më të mëdhenj italianë Oliviero Toscani, revolucionari i botës së komunikimit viziv, artisti provokues që influencoi artin dhe impenjimin social.
E është ky gjeni i artit të fotografisë në qendër të një prej komploteve më të mëdha të botës së artit që përfshiu Tiranën, Edi Ramën, ish kryetar bashkie i këtij qyteti në ato vite, revistën italiane Flash ART me drejtorin e saj e autoritetet e antiterrorizmit.
Dhe pse i ngjan një historie rozë, kjo ngjarje impenjoi në Itali, Drejtorinë e Antimafias Italiane e një hetim shumë nivelesh.
Në një Tiranë që në atë dekadë dhjetëvjeçare postkomuniste kishte parësore mbijetesën e jo artin, jo shumëkush do të kujtojë manifestin e Bienales së parë te Artit hapur në kryeqytetin post diktaturë- flamuri shqiptar me shqiponjën e deformuar me linjat e saj, sikur po jepte shpirt me trupin që i fërgëllonte.
Ta shohësh sot, ka aq ngjashmëri me skicën shqiponjën që KM Rama pikturoi në librin e shënimeve në maj të 2021 gjatë një vizite në Akademinë e Shkencave.
Po le t’i kthehemi komplotit të Tiranës që deri më 14 shtator 2001, dita e inaugurimit të saj quhej Bienale e Tiranës.
Manifesti i kësaj bienale, ky flamur i kuq i deformuar në linjat e tij ishte realizuar në letra nga fotografi i njohur italian Oliviero Toscani që së bashku me artistët Maurizio Cattelan, Vanessa Beecroft, Nicolas Bourriaud, Francesco Bonami ishin kuruesit e kësaj Bienale.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, kishte autorizuar hapjen e saj dhe 4 artistët e zgjedhur nga Oliviero Toskani ishin; nigeriania Bola Ecua, arabi Hamid Piccardo, italiani Carmelo Gavotta e sllavi Dimitri Bioy.
Bola Ecua ishte një aktiviste e kërkuar nga qeveria nigeriane, që me artin e saj denonconte ngjarjet politike, vrasje, kriza sociale, Dimitri Bioy një fotograf i nudos me modele dhe minorene për të treguar se arti nuk ka limit moshe, e i dyshuar për pedofili e Carmelo Gavotta një pornograf që me videot e tij artistike kishte treguar se pornografia mund të prodhohet nga çdokush që ka një instrument për të filmuar dhe Hamid Picardo sipas skedës prezantues ishte një fotograf i talentuar që Bin Laden e kishte emëruar zëdhënësin e Jihad në art.
Fotografitë e tij në Bienalen e Tiranës ishin; Bin Laden me kallashnikov në duar, një avion i rrëzuar etj..
Veprat e tyre mbushën ekspozitën Bienale të Tiranës, katalogun demonstrues por në ditën e inaugurimit as ata, as kuruesi që i përzgjodhi këta artistë, fotografi Oliviero Toscani nuk mbërritën në Tiranë.
Bienale do inaugurohej më 14 shtator 2001, tre dite pas atentatit të Kullave Binjake në New York City.
Kryetari i Bashkisë Edi Rama, drejtoritë kompetente e personat që u bënë ndërlidhës të këtij eventi artistik menduan se frika për të fluturuar pas ngjarjes dramatike kishte penguar këtë pjesëmarrje.
Por e vërteta ishte ndryshe;
4 artistët nuk kanë ekzistuar kurrë e Oliviero Toscani nuk kishte marrë kurrë përsipër të ishte kuruesi i kësaj bienale.
Ishte thjesht e qartë një mashtrim.
Artistë të sajuar me vepra të sajuara e marrë nga fotografi interneti, video porno o fotokopje.
E Olivero Toscani nuk kishte marrë kurrë përsipër të ishte kuruesi i Bienales së Tiranës.
Fakti se mes artistëve ishte emri i Hamid Piccardo “fotograf i talentuar që Bin Laden e kishte emëruar zëdhënësin e Jihad në art” por që nuk kishte ekzistuar kurrë, bëri që ky mashtrim i madh të quhej Komploti i Tiranës.
Drejtoria Investigative e Antimafias e kundër terrorizmit në Itali në hetimet paraprake të saj, lidhi faktin se Bienale e Tiranës do të mbahej në shtator e pak ditë pas atentatit në Kullat Binjake e mes artistëve shprehej qartë emri i Osama Bin Laden, fotografia e tij, vepër e fotografit i cilësuar “më shumë një fundamentalist islamik se një artist”.
Pak javë vonë në shtëpinë e Olivero Toscanit mbërrin një pako e madhe dokumentesh ku cilësohet i hetuar në atë që u quajt “”Komploti i Tiranës”.
E vërteta ishte shumë më e thjeshtë; ishte një mashtrim.
Olivero Toscani përmes një adrese emaili që nuk mbaronte me “.com” siç ishte origjinali por me “.it” i kishin vjedhur identitetin e për më shumë se një vit ishin shkëmbyer adresa e-maile mes tij e drejtorit të revistës së artit Flash Art, Giancarlo Politi.
Hetimet zbardhën gjithçka qe një mashtrim e vjedhje identiteti me pyetjet që deri sot nuk morën përgjigje;
Si ka mundësi që Tirana zyrtare nuk u kujdes të ketë një kontakt direkt me kuruesin Olivero Toscano?
Si është ë mundur që ideuesi i Bienales Politi u mjaftua me shkëmbime e-maili e nuk bëri një telefonatë të vetme fotografit të njohur.
E në këtë “komplot të Tiranës”, mashtrues e denigrues për Shqipërinë një tjetër element komplotist ishte manifesti i një flamuri karikaturë që në ato vite për Ballkanin, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë njerëzit vriteshin në emër të flamurit.
Po kush e realizoi këtë mashtrim të madh?
Hetuesit italianë mundën të gjejnë adresën IP të kompjuterit ku ishin nisur e-mailet komunikuese, në një apartament në Cogoleto një qytezë në provincën e Genovas e banuar nga Marco Lavagetto.
Ishte ai Oliver Toscani fals që kishte shpikur emrat e katër artistëve për Bienalen e Tiranës, e veprat e tyre marrë nga fotokopje e imazhe webi.
Marco Lavagetto dënohet për vjedhje identiteti në një dënim civile e rrëzohen akuzat penale ndaj tij. Dëmshpërblen me 30 mijë euro fotografin Olivero Toscano.
Marco Lavagetto është një i apasionuar pas artit e ka një sipërmarrje të vogël që përgatit mbulesat e brendshme për arkivole.
Fotografi i njohur e me identitetin e vjedhur në “Komplotin e Tiranës”, Oliviero Toscani ndërroi jetë më 13 janar 2025, pra pak ditë më parë.
Mbi këtë ngjarje të harruar me gjasa qëllimisht në Tiranë, në sallat e kinemasë italiane sapo ka dal dokumentari me të njëjtin emër; Komploti i Tiranës” i Manfredi Lucibello.
Dokumentari sjell dëshminë e vetë Toscanit e është një linjë rrëfimi që mban dy skenar e gjithmonë pyetjen; Mos dhe kjo që po tregojmë është e gjitha një mashtrim?
Bienale e Tiranës me manifestin, logon, artistët e defomuar, të sajuar e të vjedhur nuk janë të tillë.
E autori që pranoi vjedhjen ndoshta vijon të kryej ende një mashtrim o komplot qoftë me rrëfimin e tij?