Gazetarja Ola Xama, duke komentuar bastitjen e një apartamenti të padeklaruar të bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxe, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se SPAK po heton pasuritë, por po lë vendimmarrjen së zotit Veliaj si kryetar i bashkisë së Tiranës.
Nëse zoti Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë patur në posedim një tjetër apartament, kjo është fshehje e deklarimit të pasurisë. Kemi të bëjmë me hetim të pasurisë, por jo sa i përket vendimmarrjes së zotit Veliaj si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe kanalizimi i këtyre hetimeve në dhënien e disa lejeve të ndërtimit, që janë shumë më të vogla se projektet e tjera korruptive, siç janë teatri Kombëtar, projekti i Rindërtimit, inceneratori, dosja “5D” apo pastrimi i parave në dhënien e lejeve të ndërtimit për grupin mafioz të Ndragheta-s.
SPAK këtu duhet ta tregojë forcën. Nëse në fund të këtyre hetimeve, ne do të na çojnë te lidhjet e zotit Veliaj edhe me këto afera, atëherë mund të themi se kemi një hetim cilësor. Por nëse sistemi vijon njësoj, duke zëvendësuar njerëzit, lufta e SPAK do të jetë e gjatë”-tha Xama.