Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila me anë të një vendimi skandaloz, ka rrëzuar me procedurë kërkesën për shfuqizimin e masës antikushtetuese ‘arrest shtëpiak’.
Në postimin e tij në Facebook, Malltezi thekson se ‘Kushtetuesja’ nuk e pati problem kur nuk legjitimoi 1/5 e deputetëve të opozitës, as kur u bënë meme me vendimin ndaj kreut të PD, Sali Berisha i cili sipas saj mund të dilte jashtë shtetit por jo nga shtëpia.
‘Këto palaçollëqe janë të pritshme. ‘Afërmendsh’ gjykata’, shkruan Malltezi.
Postimi i plotë
Kur nuk e patën problem që dolën delenxhinj duke thënë se 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen dhe nuk e patën problem të bëhen meme me atë se Berisha lejohet të dalë jashtë shtetit por jo jashtë shtëpie, këto palaçollëqe janë të pritshme. “Afërmendsh” gjykata!
Me këtë njoftim kuptohet se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka qënë 4:4, duke mos arritur dot shumicën e nevojshme vendimmarrëse.
Gjykata Kushtetuese/ NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Në datën 05.12.2024, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Jamarbër Malltezi, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 116, datë 23.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.