Doktor Adhamudhi dhe Tik Toku
Kasaphanën e të miturve tek “Fan Noli” Edi Rama u ngut t’ia faturojë rrjeteve sociale. Ata na çedukojnë fëmijët që edukon nëna, baba, qeveria, shkolla, shoqëria, policia… çfarë edukon ditën gjithë ky “sistem i së mirës” na e shthurin natën djajtë e Tik Tokut dhe Snapçatit!
Zgjidhja?
“Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri! Të dhemb një dorë? Preje të të shpëtojë tjatra”! – zbulonte doktor Adhamudhi i Çajupit.
Edhe Adhamudhi ynë në këtë përfundim të madh ka dalë: “Kërre Tik Tokun që na shthur fëmijën”!
Tingëllon ëmbël për disa. Por asnjë s’e pyet doktor Edin: “Çfarë i ofron ti më të mirë se Tik Toku o kryeministër”?
■ Kur erdhe ministër kulture në qeverinë e Nanos, u ngute të mbyllësh kinematë, Adhamudh! I mori një miku yt që erdhi me ty nga Franca që bën pallate. Kryeqyteti ka një kinema sot. Qytetet s’kanë më asnjë.
■ Në sheshin Skënderbej kishim teatrin e kukullave. Me repertor mediokër dhe performancë për faqe të zezë, por ISHTE ATY. Sot nuk është më. E keni degdisur në të sëmës. Që të mos e vendos pikë më vete, të njejtin fat pati edhe cirku, i cili gjallon në një sallë mbledhjesh në një qendër tregëtare private.
■ RTSH, televizioni publik, e ka një kanal vetëm për fëmijët: “RTSH Femije”. Por për turp të Zotit, qarkullon prej vitesh 3-4 filma vizatimorë prehistorik: Ben Ten, Kamioni Leo, Roza dhe Rudi, filmavtë kohës kur ishin fëmijë prindërit e fëmijëve të sotëm. Të varfër në sasi, të mjerë në cilësi.
■ Teatrin kombëtar e shembi dhunshëm duke e shpërngulur në mjediset e një ish laboratori të hidraulikës. Vënia në skenë e shfaqjeve diktohet nga projektet, buxhetet, sponsorizimet dhe jo kriteret artistike.
■ Teatri i varietesë ( estrada ) nuk ekziston më.
■ Albafilm ( këtu s’po harxhoj kohë! )
■ Fushat, sheshet dhe terrenet ku mblidheshim, luanim dhe kalonim kohën kur ishim fëmijë sot janë pallate ndërsa fëmijët duhet ti marrësh me makinë e ti çosh në periferi, në qendra tregëtare, për të luajtur në lisharës. Ndërsa fotboll – nëpër fushat private të kalçetove.
Tani më thoni, o njerëz të mirë:
■ Ku duhet ta kalojë kohën fëmija ynë?
■ Çfarë alternative ka, përveç celularit dhe rrjeteve sociale, për tu argëtuar , informuar dhe kaluar kohën fëmija ynë?
DHE PYETJA NJË MILIARDËSHE PËR DOKTOR ADHAMUDHIN:
■ Çfarë programi ka qeveria jote për kulturën?
“Rilindja” është një emër i nderuar, që mbart shumë ngarkesë emocionale për shkak të rëndësisë në përgatitjen e pavarësisë së vendit. Dhe “Rilindja” e atëherëshme u bë me dije, kulturë, shpirt dhe gjak. Ju e përdhosët atë emër duke e vjedhur atë kostum për t’ju shitur qorrave si Naimi, Lazgushi a Çajupi. Por programi i kësaj “rilindje” përmblidhet në tendera, sende, objekte, projekte por jo në platforma ringjallje të kulturës sonë, integrim me atë bashkëkohore dhe përhapje masive, në rradhë të parë mes të rinjve e fëmijëve. Kur kryeministri apo hip- hop kryetari i bashkisë së Tiranës dalin përqafe nëpër fushata me yje Tik-toku dhe reperë që i këndojnë krimit dhe drogës nuk kanë sy e faqe të qahen sot se “na zbën Tik Toku atë punë që bën familja, shkolla e qeveria bashkë për edukimin e kalamajve”
Edhe një pyetje të fundit për Adhamudhin:
E zemë se e hoqëm fare Tik Tokun, Snapçatin dhe gjithë platformat çedukuese. Çfarë do t’u ofrosh fëmijëve në këmbim?