Paç fatin e Plarent Ndrecës!” Standardet e SPAK, pse nuk e arrestoi zhurmuesin e Ramës

0
289

Deputeti socialist, Plarent Ndreca, është dërguar për gjykim së fundmi nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, në një procedurë për rikonstruksionin e disa komisariateve, gjatë kohës që ai ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Për procedurën e zhvilluar në vitin 2019, me vlerë fillestare 54 milionë lekë të reja, e cila më pas u reduktua në 34 milionë lekë të reja, janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim edhe 15 persona të tjerë, anëtarë të komisionit të zhvillimit dhe verifikimit të tenderit.

Ky rast hetimor përbën një shembull tipik të standardeve të dyfishta që ndjek Prokuroria e Posaçme, sidomos sa u përket aplikimit të masave të sigurimit.

Në foto: Deputeti Plarent Ndreca duke hyrë i lirë në Prokurorinë e Posaçme

Në raste të ngjashme, SPAK-u ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”. Ndërkohë që për Plarent Ndrecën, i njohur më së shumti për “zhurmën” që bën në Parlament, në mbrojtje të aferave koncesionare të qeverisë së Edi Ramës, hetimi është zhvilluar në gjendje të lirë.

Rastet për të kuptuar standardet e dyfishta të Prokurorisë së Posaçme janë të shumtë.

– Në Korrik të vitit 2021, arrestohet në zyrë kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, nën dyshimet e SPAK-ut se kishte kryer veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.

Në foto: Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, i arrestuar në Korrik 2021

Në Mars 2023, me urdhër të SPAK-ut arrestohet kryetari në detyrë i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i dyshuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

Në Mars 2024, ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato e Redi Molla, u arrestuan me urdhër të SPAK-ut, për vepra penale, ndër të cilat edhe “shkelje e barazisë në tendera”.

Në Shtator 2024, gjykata e posaçme pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.

– Për një tender me vlerë 7 milionë lekë të reja për blerjen e një zjarrëfikseje në Durrës, 8 zyrtarë të ulët lokalë përfunduan në pranga, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, në maj të vitit 2022.

– Për të njëjtën vepër penale, atë të shkeljes së barazisë në tendera, gjenden të arrestuar një dyzinë zyrtarë të nivelit të mesën e të ulët, emrat e të cilëve rezulton në komisionet e procedurave koncesionare të “inceneratorëve”.

Rastet e mësipërme, por edhe të tjerë të ngjashëm, janë një dëshmi se qasja e Prokurorisë së Posaçme për personat e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së barazisë në tendera” është ajo e aplikimit të masës së sigurimit “arrest në burg”.

Por, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Plarent Ndrecën. Ai është hetuar, u mor i pandehur dhe tashmë u dërgua për gjykim, në liri të plotë.

Ndreca, “i lindur për shef”

Në janar të vitit 2024, Plarent Ndreca merr mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, në vakanën e krijuar pas arratisjes së ish.zv.kryeministrit dhe ligjvënësit, Arben Ahmetaj.

Vite më parë, kur Edi Rama ishte në opozitë, juristi Ndreca ishte përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më tej, me ardhjen në pushtet të “Rilindjes”, Plarent Ndreca rezultoi një person me “kostum shefi”.

Për 4 vite, nga 2013 deri në 2017, ai ushtroi funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, posti më i lartë administrativ dhe, si rregull, jo-politik, i institucionit.

Të njëjtën detyrë ai e kreu më tej edhe në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Për pak kohë mbajti postin e Drejtorit të komanduar të Inspektoratit Shtetëror të Pujeve dhe më tej, u emërua sërish Sekretar i Përgjithshëm, kësaj radhe në Ministrinë e Brendshme.

Largohet nga ky post në Shtator 2020, pak kohë pas shpërthimit të “skandalit të uniformave”-një tender 25 milionë euro, i shoqëruar me dyshime të shumta.

Pasi qëndroi disa kohë si “avokat” privat, Plarent Ndreca mori mandatin e Ahmetajt. Ai ishte shumë aktiv, madje “më zhurmuesi” në Komisionit Hetimor Parlamentar për koncesionet në Shëndetësi. Ky komision mbylli punimet në mënyrë të njëanshme, me “diktatin e votave” të Partisë Socialiste, që drejtoheshin nga Plarent Ndreca.

Nga Boldnews

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here