E konfirmon edhe ministri Ervin Hoxha: Janë filmimet e ngjarje
Të gjendur nën presionin e opinionit publik për manipulimin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, drejtues të policisë së shtetit dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kanë shtuar presionin ndaj kujtdo që ka ngritur zëri për fshehjen e një bashkëpuntori në krim.
Deklaratat që dukshëm kanë qenë të koordinuara me njëra-tjetrën, vijnë në një moment kur prindër të nxënësve të shkollës Fan Noli, qytetarë të shqetësuar për situatën në shkolla, por edhe disa elementë të opozitës dolën në protestë për të kërkuar një menaxhim më të mirë të sigurisë dhe rendit.
Në këto protesta kanë marrë pjesë edhe prindër dhe familjarë të viktimës, Martin Canit që kanë falenderuar qytetarët për solidaritetin.
Si në media, ashtu edhe në protestat qytetare, është këmbëngulur që të bëhet drejtësi për Martin Canit.
Dyshimet u shfaqën kur shoku i viktimës, Luis Meçe, i mbijetuar nga sulmi me thika, dha një version tjetër të ngjarjes, nga ai që kishte policia.
Sipas fëmijës së plagosur, në krim morën pjesë tre persona, mes tyre një i rritur dhe një tjetër bashkëmoshatar, përveç të arrestuarit M.Përlleshi. Ky djalë tjetër është identifikuar si K.Bekaj dhe sipas Luis Meçes ai ka qëlluar me thika.
“Di që është bashkëmoshatar i jonë. Unë dua të vinë e të bëjnë ekspertizën mjekoligjore për ta kuptuar të gjithë që kam plagë nga dy thika të ndryshme” ka thënë Luis Meçe.
Këtë version e përforcoi edhe babai i tij kur u shpreh se policia dhe prokuroria po e mbajnë të fshehtë autorin tjetër të krimit.
“Djali i ka parë që janë dy veta. Personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është djali me emrin K. B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit. K. B e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. Djali K. e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark.
Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur M. dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, K. e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, djali e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe” ka thënë Fiqiri Meçe.
Pavarësisht se dyshimet hidhen nga protagonisti i ngjarjes, siç është 14 vjeçari Luis Meçe dhe babai i tij, policia ka një reagim të çoroditur mbi mediat që i fajëson për lajme të rreme dhe gënjeshtra nga ata që i quan “burime të hapura” që duan të bëjnë një “lojë të pajustifikueshme me ndjenjat e publikut”.
Në sulm është hedhur edhe ministri Ervin Hoxha, që me një fjalor të ashpër ka folur për helmim të opinionit publik për një “autor të dytë të vrasjes” si një “prodhim të papërgjegjshmërisë mediatike”.
Si të ishte duke folur nga zyra e partisë, Hoxha pastaj e politizon çështjen kur flet për “të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet”.
Megjithëse të dyja qëndrimet kalojnë në halucinacionet e një lufte politike dhe mediatike, ato janë të qarta dhe japin detaje mbi një alibi të dobishme për të arrestuarin e vetëm të ngjarjes, Mario Përlleshi. Mënyra se si e përshkruan policia momentin kur qëllohet viktima Martin Cani dhe shoku i tij Luis Meçe me thikë, është shumë i saktë dhe nuk lë vend për dyshime.
“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit” thotë policia.
Ky version i ngjarjes i mbështetur nga ministri Ervin Hoxha e përmbys panoramën e deritanishme, në të cilën autori i krimit Mario Përlleshi dhe miku i tij K.Bekaj ishin agresorët.
Ndërsa Bekaj del krejtësisht pa faj, policia përshkruan nga filmimet e kamerave një version që e lehtëson situatën për autorin e krimit dhe qëndron si një ndihmë e vyer e alibisë së tij.
Nëse kjo dinamikë e ngjarjes është i vërtetë, kuptohet se situata e të arrestuarit M.Përlleshi bëhet më e lehtë dhe do të rezultonte se pretendimet e Luis Meçes dhe babait të tij Fiqiri Meçe për një autor të dytë janë gënjeshtra.
Policia dhe ministri i brendshëm e theksojnë se ky version i ngjarjes mbështetet në materialet filmike të kamerave të sigurisë, por këto nuk mund të publikohen sepse janë sekret hetimor. Qytetarëve dhe mediave u kërkohet të besojnë verbërisht fjalën e Ilir Prodës dhe Ervin Hoxhës.
Çështja është që e kundërta është provuar në të shkuarën, (rasti i Klodian Rashës) kur policia e shtetit veproi si një bandë kriminale në përpjekje për të fshehur provat e vrasjes së një djali të pafajshëm. Po aq, është luajtur me pamjet e kamerave të sigurisë nga qeveria në raste të tjera, kur vetë kryeministri ka dalë garant për atë që tregojnë filmimet e kamerave të sigurisë. (rasti i kërcënimit të Emiljano Nuhut)
Prandaj, askush nuk beson më në fjalën e drejtuesve të policisë e aq më pak të politikës. Në rastin e vrasjes së Martin Canit, si mediat ashtu edhe qytetarët janë të prirur të besojnë zërin e shokut të tij që është në spital me 4 plagë në trup dhe vetëm publikimi i pamjeve filmike do ta zbuste disi krisjen e besimit tek institucionet e sigurisë. /Lapsi.al
Deklarata e plotë e policisë për vrasjen e Martin Canit
Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C.
Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapurau angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes.
Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.
Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime te cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar nëmaterialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.
Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.
Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt.
Policia e Shtetit bën me dije publikun se në çdo rast do të vazhdojë të informojë sipas të dhënave, provave dhe fakteve të përfituara nga grupi hetimor në këtë rast dhe në çdo rast, gjithmonë duke ruajtur sekretin hetimor dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë në këtë rast dhe kudo tjetër në çdo rast”.
Reagim i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në rrjetet sociale:
Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik.
Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje.
Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.
Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.
Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregëtimit mediatik të vdekjes.
Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë.
Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh.
Marre Nga Lapsi.al
(Ju lutem gjeni bashkëngjitur deklaratën e Policisë së Shtetit)