Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë me fondet e rindërtimit në Vorë? Vazhdon abuzimi me tenderat?
Në procedurën e prokurimit me objekt “Rindërtimi i Godinës së Bashkisë, Bashkia Vorë”, Komisioni i ngritur për hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit përbëhet nga 3 juristë dhe asnjë specialist fushe. Ky tender është cilësuar me risk të lart nga KLSH dhe në analizën e dhënë kontrolli sqaron se: “Titullari i AK, të marrë masa që në çdo procedurë prokurimi, të përcaktojë minimalisht 1 person i cili të jetë specialist i fushës që lidhet me objektin e prokurimit, kjo për të hartuar kritere të përshtatshme dhe në përputhje me objektin që prokurohet.”
“Nuk ka asnjë ndëshkim për procedurat e gabuara tashmë edhe pas tërmetit” shprehet eksperti Preçi.
Në datën 29.10.2021 është hapur tenderi nga Bashkia Vorë për rindërtimin e një kopshtit publik program i rindërtimit me vlerë 884 milion lekë pa tvsh në garë morën pjesë 3 kompani. Koha e përcaktuar për ndërtimin e kopshtit ishte 12 muaj .
Bashkimi i operatorëve “Ergi Shk”, “Egeu stone Shpk” dhe “Aepa group” rezultuan fituesit e kësaj procedure.
“Egeu Stone” me aksioner Gëzim Bregu e ka përfituar këtë kontratë edhe pse në bashkëpunim në kundërshtim me ligjet pasi nuk plotësonte kushtet.
Një ndër pikat që duhet të përmbushen patjetër lidhen me dokumentet standarde të tenderit kompania “Egeu Stone” nuk kishte shlyer taksat dhe tarifat vendore për vitin 2021 duke mos qenë korrekte me shtetin.
Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Egeu Stone” ka pasur adresa sekondare gjatë vitit 2021 në Bashkitë Korçë, Vlorë dhe Rrogozhinë, të cilat janë mbyllur gjatë vitit.
Për periudhën e caktuar, ky OE duhej të likuidonte detyrimet përkatëse pranë këtyre bashkive, ndërkohë në dokumentacionin e paraqitur nuk ka asnjë vërtetim për likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve.
“Egeu Stone” gjithashtu nuk përmbushte një tjetër pikë të DST që lidhej me pjesëmarrjen në një punë të ngjashme, për punën që ky subjekt pretendonte mungonte dokumentacioni përkatës në dosjen.
Kompania e “Egeu Stone” nuk disponon as kategorinë e licencës NS-3, NS-12, NS14 dhe NS-18.
Pavarësisht gjithë shkeljeve mos plotësimit të mësipërm kjo kompani që do të kryente edhe 43% të punimeve nuk ka as inxhinierët e duhur për të ndërtuar kopshtin e fëmijëve në Vorë. Konkretisht i mungon inxhinieri elektrik, inxhinieri hidroteknik, inxhinier mjedisi të cilët duhet të figuronin në licencën e shoqërisë. “Egeu Stone” me pronar Gëzim Bregu nuk ka provuar se disponon staf teknik të nevojshëm për realizimin e kontratës, ndërkohë që ka marrë përsipër angazhim në një masë relativisht të madhe, konkretisht 43% të punimeve. Pasi sipas ligjit të prokurimeve publike subjekti që merr më shumë përqindje pune duhet të ketë staf përkatës në përputhje me përqindjen e realizimit të kontratës.
Sakaq edhe kompanitë e tjera që janë shpallur po ashtu fituese në këtë tender kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion “Ergi shpk” me aksioner Nuri Balla gjithashtu ka shkelur kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.
Ky subjekt nuk përmbush kriterin e pikës 2.3.3 të DST për shlyerjen e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2021. Sipas ekstraktit historik të QKB, rezulton se ky OE ka hapur adresa sekondare pranë bashkive Tiranë, Durrës dhe Kavajë, ndërkohë nuk ka paraqitur asnjë vërtetim për të konfirmuar likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve të vetëqeverisjes vendore, në kundërshtim me kërkesën në DST
“Ergi Shpk” nuk është një kompani e panjohur për opinionin publik, pronari Nuri Ballën në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit. Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin megaoperacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish- kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla.
Firma e Nuri Ballës është mjaft e njohur për tenderët që zhvillohen nga kryebashkiakët e Juglindjes. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB” e bashkisë Elbasan, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “ERGI Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit, kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë.
Ndërsa sipas dosjeve në e Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla” janë nën hetim për evazion fiskal. Edhe njëherë tjetër shohim se si paratë e taksapaguesve përfundojnë në duart e afaristëve të integruar me pushtetin.
Kompania e tretë e këtij konsorciumi “Aepa Group” me pronar Ariel Shkullaku gjithashtu rezulton me mungesë të dokumentacionit të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj pune publike të kontraktuar.
“Aepa Group” kishte për të përfunduar vetëm 1 për qind të punimeve sipas preventivit. “Aepa Group”, pavarësisht se e ka fituar këtë punë publike nuk disponon licensë NS-3, NS-12, NS14 dhe NS-18.
Bashkimi i operatorëve për të ndërtuar kopshtin janë kualifikuar në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike.
“Nuk është se tërmeti sjellë në vetvete këtë problematikë, por tërmeti është përdorur për të fshehur një problematik që është në çdo sektor të zhvillimit të vendit.”- shprehet eksperti Kaprata. Ndërsa eksperti Zef Preci thekson se ende nuk janë nxjerrë mësime: “Korrupsioni jo vetëm – varfëron, por korrupsioni vret, shoqëria shqiptare reagon në mënyrë emocionale kur ndodh diçka dhe jo racionale që të gjej zgjidhje të qëndrueshme për periudhën që vjen që mëson nga problemet. Historia e tërmetit që uroj mos të përsëritet është një histori që jo vetëm nuk kemi nxjerr mësime nga gabimet e të tjerëve por nuk kemi nxjerr mësime as nga gabimet tona.”./ Emisioni Vetting