Me një vendim të papritur në orët e para të mëngjesit, gjykatësja Floriana Davidhi ka hutuar mbështetësit e Berishës kur rrëzoi SPAK dhe i dha të drejtë kreut të Partisë Demokratike për të dalë nga shtëpia, duke i dhënë fund izolimit të tij në shtëpi. Prokurorët e SPAK kishin kërkuar që Berisha të mbetej në izolim, sërish për të njëjtat arsye, sepse disa muaj më parë nuk respektoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” që i caktoi SPAK.
Vetëm se gjykatësja Floriana Davidhi vuri re një detaj që e përmbyste krejtësisht situatën. Sipas saj hetimet kishin përfunduar dhe dosja e përgatitur nga prokurorët është dërguar tashmë në gjykatë.
Për rrjedhojë, binte pretendimi i prokurorëve se Berisha mund të prishte provat, ndërsa për tentativën e arratisjes ishte e qartë se i pandehuri nuk e bënte një akt të tillë.
Për habinë e të gjithëve, në bazë të këtij arsyetimi, gjykatësja Davidhi la të lirë Sali Berishën duke vepruar në kundërshtim me logjikën e Altin Dumanit, që pak muaj më parë shprehej se “afërmendsh që gjykatat vendosin gjithmonë çfarë kërkojmë ne”.
Disa orë pas vendimit SPAK doli me një njoftim ku paralamëroi se do ta ankimojë lirimin e Sali Berishës në Apelin e gjykatës së posaçme.
Por ndërkohë në selinë e PD-së dhe në rrugën Mustafa Matohiti kishte filluar festa.
Berisha falenderoi gjykatësen
Në rrugën Mustafa Matohiti, ku për çdo natë, për 11 muaj ka pasur një protestë u mblodhën me dhjetëra mbështetës të Berishës për ta brohoritur daljen e tij nga shtëpia. Në mesditë, kreu i PD-së doli nga shtëpia dhe iu drejtua selisë së Partisë Demokratike për një mbledhje me grupin parlamentar.
Sapo ka mbërritur në selinë e PD-së, Berisha mbajti një fjalim para militantëve, të cilëve u tha se këtë vit ka thyer rekordin e tij për numrin e fjalimeve, 330 të tilla, por se tani veprimi do jetë kryefjala e tij.
“U krye dhe kjo punë! Në historinë e drejtësisë europiane, sot goditjet më fatale. Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot Shqipëria u ndriçuar nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur monstrat e demokracisë Edi Rama dhe George Soros dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare, në grushtin e shtetit që i bënë asaj. Sot ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, mundi triumfoi dhe u shpërblye” tha ai.
Berisha falenderoi gjykatësen Floriana Davidhi, por në konferencën me gazetarët, tha se ky vendim nuk e ndryshon qëndrimin e tij për gjykatësit dhe prokurorët që i binden Edi Ramës dhe bandave të krimit të organizuar.
“Unë falënderova dhe gjykatësen për vendimin që ka marrë. Ka zbatuar ligjin, kushtetutën dhe nuk kam asnjë hezitim.
Por të falenderoj unë apo ndryshoj mendim unë, për një grup kriminelësh që ndajnë pasuritë e krimit me të pandehurit e tyre? Unë atë se bëj kurrë! Kurrë! As pajtohem as nuk hesht. Të ndryshoj mendim unë për një grup kriminel që tentoi të blejë heshtjen time? A mund të imagjinoni ju? Unë mund të përdor çdo cilësor për ta, por unë nuk i përdor për të mos prishur gojën time dhe mjedisin ku jemi këtu” u shpreh Berisha gjatë konferencës me gazetarët.
Gjatë gjithë këtij viti, Sali Berisha e drejtoi Partinë Demokratike nga izolimi i shtëpisë, nga ku ka kryer disa nga takimet me bashkëpuntorët e tij të ngushtë.
Asnjë surprizë nga përpjekja e SPAK për të goditur kreun e opozitës. Procesi që nisi me denoncimin e Taulant Ballës në prokurorinë speciale ka hedhur një hap tjetër, tani që kanë mbetur pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në shtator të këtij viti, prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai i komunikuan Sali Berishës akuzën e “korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim” në lidhje me truallin e kompleksit Partizani, që iu kthye disa familjeve të Tiranës, mes të cilëve ishte përfitues edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka pranuar asnjë akuzë, me pretendimin se dosja është manipuluar dhe i gjithë procesi është politik. Berisha as nuk iu bind masës “detyrim paraqitje” që SPAK e vendosi pa marrë autorizim nga parlamenti. Për këtë mosbindje, ai qëndroi 11 muaj në izolim.
Hetimi nisi në bazë të një denoncimi të Taulant Ballës, i cili rreth katër vite më parë u paraqit në SPAK me një dosje të hartuar në zyrat e Partisë Socialiste. Sipas socialistëve, qeveria e drejtuar nga Berisha kishte krijuar kushtet dhe kishte marrë vendime që favorizonin dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për të përfituar nga privatizimi i truallit të kompleksit Partizani, duke qenë pjesë e familjeve trashëgimtare.
Për gati 3 vjet dosja qëndroi e fjetur në zyrat e SPAK. Berisha dhe dhëndri i tij nuk u morën asnjëherë në pyetje, por në 21 tetor të vitit 2023, ndërsa Jamarbër Malltezi po priste bashkëshorten e tij në Rinas, u rrethua nga policia dhe iu vunë prangat. Arrestimi u filmua dhe pamjet e shoqërimit u shpërndanë me bujë në media.
Pas arrestimit, të tij SPAK çoi direkt në gjykatë kërkesën për detyrim paraqitje dhe sekuestrimin e pasaportës së Sali Berishës. Procedura ishte e pazakontë. Duke qenë deputet, ndaj Berishës nuk mund të vihej një masë sigurie pa marrë autorizim nga parlamenti.
Berisha refuzoi të bindej. SPAK ashpërsoi qëndrimin. Me firmë të Altin Dumanit, u dërgua në parlament kërkesa për arrestimin dhe izolimin e Sali Berishës në shtëpi.
“Dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, tani jo që nuk tërhiqen, por si eprorë të parlamentit për shkak të porosive të Edi Ramës, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje. Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist, ku parlamenti, prokuroria, policia, ushtria, shërbimi informativ, janë në duart e një njeriu, kontrollohen nga një njeri”
Kjo është një pjesë nga fjalimi i Sali Berishës, ditën kur Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai u paraqitën në parlament për të mbrojtur kërkesën e tyre për arrestimin dhe izolimin e kreut të opozitës në shtëpi.
Sali Berisha nuk kishte respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaj prokurorët u paraqitën para kuvendit për një masë më të ashpër, siç është ajo “arrest shtëpie”.
Por dalja e dy prokurorëve para Komisionit parlamentar të cilit i kërkuan autorizim për arrestimin e Berisha ka rritur dyshimet për moszhvillimin e një procesi të drejtë, të ekuilibruar dhe të paanshëm.
Ligji shqiptar kërkon që heqja e imunitetit të deputetit të bëhet pasi prokuroria servir prova bindëse për këtë. Por kjo gjë nuk ndodhi në rastin e Sali Berishës.
Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai treguan përpara komisionit të imuniteteve një arrogancë që tentoi të fshihte mungesën e profesionalizmit. Ata i përgjigjeshin thatë dhe pa argumenta avokatëve mbrojtës së Berishës (ky i fundit nuk ishte prezent në sallë).
Kur Genc Gjokutaj i pyeti se pse ata kishin paraqitur në kërkesën e tyre si argument të korrupsionit të Berishës, ndryshimin e destinacionit të truallit sportiv në tokë ndërtimi, kur dihej se një gjë të tillë se kishte bërë ish-kryeministri por Rama si kryebashkiak, prokurori u përgjigj: “kjo s’ka lidhje me imunitetin e Berishës për të cilin po diskutojmë sot”.
Me këtë lëvizje tinzare, ai krijoi precedentin e rrezikshëm që deputeti mund të zhvishet nga imuniteti edhe nëse prokurorët nuk sjellin prova.
Non grata e amerikanëve dhe presioni i Ramës për arrestimin e Berishës
Arsyetimi që u bë për shpalljen e Berishës non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, u shoqërua me presione ndaj SPAK për gjetjen e provave për këtë korrupsion që përmendej nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Logjika ishte e përmbysur. Zyrtarët e huaj i drejtoheshin SPAK përmes “prezumimit të fajësisë”, pasi non grata ishte shpallur, Departamenti i Shtetit kishte përmendur korrupsionin madhor dhe ishin ata që tani duhet të gjenin provat.
“Vendimi për ta përcaktuar (non-grata) ishte një vendim institucional dhe jo politik. E morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. I bëj thirrje institucioneve në Shqipëri që t’i marrin në konsideratë këto” shprehej Gabriel Escobar në Tetor të vitit të kaluar, kur ishte i dërguar i SHBA për Ballkanin Perëndimor.
Deklarata tingëllon si një urdhër i qartë për prokurorët e SPAK, të financuar dhe të zgjedhur nga një përkujdes i vazhdueshëm i zyrtarëve amerikanë.
Presionit të amerikanëve iu shtuan edhe thirrjet e Edi Ramës që SPAK të bënte arrestime edhe në radhët e opozitës.
Në mbledhjet e kongresit të Partisë Socialiste dhe në mbledhjet e asamblesë, Edi Rama i kërkoi disa herë prokurorëve të SPAK, që të kryenin arrestime edhe në anën tjetër të llogores politike, duke iu referuar rregullisht Sali Berishës.
“Kjo është tallje shumë e madhe, që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe për vetëm një lloj peshku madje pa e pasur problem që të gjuaj dhe cironka me dinamik, por nuk ka as vullnet që ta përdor dinamitit për peshkaqenët që i bëjnë leksione SHBA, Europës, dhe zgjohen dhe ngrysen duke nxjerrë llum nga goja. Durimi ynë po soset, i imi po” shprehej kryeministri në Maj të vitit 2022.
Rama vazhdoi me disa deklarata, ku nxiste prokurorët e SPAK të godisnin Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Më thonë “Pse po ha nga ju, do me thënë nga ne, sharra e SPAK-ut. Këtu nuk di çtë them për sharrën e tyre, po di ç’të them për sharrën tonë. Sepse ne nuk e kemi kapur drejtësinë e as nuk kam bërë shaka kur thashë duam një drejtësi të drejtë në këtë vend”shprehej kryeministri, duke i kërkuar publikisht prokurorëve t’i tregonin dhëmbët opozitës.
Për Berishën kjo e sotmja duhet të jetë një ditë e bukur, megjithatë pak muaj para zgjedhjeve, opozita mbetet ende e dobët përballë një mazhorance që ka zhbërë çdo institucion të pavarur dhe ka në dorë çdo pushtet të mundshëm, atë politik, mediatik, ekonomik dhe kriminal bashkë./Lapsi.al