Sterilizimi’ 120 milionë euro, kostot u rritën me 30%. Marifetet e koncesionarit për të fituar më shumë

0
34

Skema është e njëjtë. Në fillim pranohet problemi. Cilësia e dobët e instrumenteve kirurgjikale dhe infeksionet e larta spitalore ishin dy argumentet. Në gati tre dekada “gangrenë shëndetësore”, çdo zgjidhje gjykohet e pranueshme. Më tej, me fabulën e “rinovimit të instrumenteve dhe uljen e infeksioneve spitalore”, shteti lidh një kontratë 100 milionë dollarë me privatin, pagëzuar si “koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.”

Megjithatë, jo çdo gjë shkoi sipas parashikimeve, madje argumenti kryesor mbi të cilin u mbështet koncesioni mund të konsiderohet si i rrëzuar, shkruan A2 CNN.Në Spitalin Rajonal Durrës dhe Kukës kanë rezultuar probleme të kontratës koncesionare të sterilizimit me “Sani Service”, lidhur me kompleksitetet e seteve kirurgjikale si dhe lidhur me pagesat e shpenzimeve të energjisë dhe ujit nga spitalet edhe për pjesën e konsumit të koncesionarit. Janë përdorur sete të kompleksitetit të ulët edhe për manipulime të ndryshme kirurgjikale si mjekime, suturime etj, që mund të bëhen me paketime me avull”, thotë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).Hartuar mbi parimin “përdor dhe paguaj”, ku i favorizuar është privati, nga 9,6 miliardë lekë të parashikuara në kontratën e hartuar në vitin 2015, kosto e kontratës së sterilizimit në vitin e nëntë të operimit ka arritur në 12,3 miliardë lekë. Janë 2,7 miliardë lekë apo 28,1% më tepër para të dala nga arka e shtetit për shkak të kontratës, ku “rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave.

Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1,6 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2,1 miliardë. Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare.

Prej asaj kohe, tavani nuk është tejkaluar. Madje, vitin e shkuar nga 63 609 shërbime sterilizimi të planifikuara, u realizuan vetëm 63 409. Thënë ndryshe, u përmbush vetëm 99,68% e planit. E me gjithë 120 milionë eurot që ka marrë, kompanisë koncesionare “Sani Service” nuk i kanë mjaftuar kaq para, duke u përpjekur të gjejë “shtigje” të uljeve të kostove të saj me qëllim rritjen e fitimeve.

KLSH shprehet: “Nga auditimi në Spitalin e Traumës konstatohen rritje të shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike për vitin 2016 në vlerën 20,974,442 lekë dhe për vitin 2017 në vlerën 25,021,955 lekë, respektivisht më tepër 4,047,513 lekë.”

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në pushtet në vitin 2013. Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, dhe kompanisë koncesionare Sani Service, aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”./ A2/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here