Mes debateve mes qeverisë italiane dhe gjykatave, një tjetër anije me emigrantë është nisur drejt Shqipërisë. Anija “Libra” që është angazhuar për transferimin në qendrat e Shqipërisë është nisur nga porti i Mesinës dhe në fillim të javës së ardhshme pritet të mbërrijë në portet shqiptare.
Qeveria “Meloni” është e vendosur të shkojë përtej vendimit të seksionit të imigracionit të gjykatës së Romës, më 18 tetor, e cila nuk e miratoi mbajtjen e 12 emigrantëve brenda qendrës së paraburgimit italian të riatdhesimit të Gjadrit. Ky vendim shkaktoi edhe reagime të forta përmes rrjeteve sociale si dhe kërcënime me vdekje ndaj gjyqtares Silvia Albano, një nga 6 magjistratët përgjegjës për marrjen e atij vendimi, e cila u vu nën mbrojtje për arsye sigurie.
TGCom shkruan se qeveria italiane po ecën përpara me marrëveshjen për Shqipërinë edhe pse ditët e fundit ka pasur një rënie të numrit të emigrantëve edhe për shkak të motit të keq në det. OJQ-të italiane vijojnë ta kritikojnë marrëveshjen duke e quajtur si “një reklamë”dhe një “fushatë propagande”.
Luca Casarini i shoqatës “Mediterranea Saving Humas” thotë se “Italia dëshiron të bëhet një model që përfaqëson tragjikisht një nga mënyrat e shumta për të zbatuar dëbimet. Është një operacion i cili ka në qendër dëbimin dhe ndalimin e njerëzve që nuk kanë kryer asnjë krim, i cili mohon të drejtën për azil” – tha ai.
Qeveria shpalli një dekret më 21 tetor, i cili ripërcaktoi listën e vendeve “të sigurta” duke përfshirë Egjiptin, Bangladeshin dhe Tunizinë, tre vendet kryesore nga të cilat vjen shumica e emigrantëve që zbarkojnë në Itali. Për këtë çështje gjyqtarët e Bolonjës i kërkuan BE-së që të mbajë qëndrim. Nisma e gjykatës së Bolonjës shkaktoi qëndrime të ashpra nga partitë qeveritare.
E sigurt është se në javët në vijim procesi për transferimin e emigrantëve në Shqipëri do të nisë sërish. Pritet të shihet cili do të jetë vendimi i gjyqtarëve të Romës për rastet e reja. “Për momentin nuk jemi kontaktuar nga askush”, –thotë rrjeti i avokatëve kriminalë që asistojnë emigrantët. ©LAPSI.al