DW: Mbetjet e rrezikshme ende në “det të hapur”

0
60

Pasi përshkoi dy porte të Bashkimit Europian, një në Afrikën e Veriut dhe një në Afrikën e Jugut e së fundi përfundoi në Azi, 102 kontenjerët me mbetje të rrezikshme – për të cilën ka dyshime se përmban lëndë kancerogjene – u rikthye sërish në Shqipërinë portin e Durrësit, aty nga u nisën më 4 korrik të këtij viti.

Katër muaj më parë, ngarkesa u nis drejt kompanisë “Copper Metal Company Ltd” në Tajlandë, kompani pa kapacitetin e nevojshëm për trajtimin e mbetjeve të tilla. Por një informacion i marrë përmes një burimi konfidencial nga “Basel Action Network” (Rrjeti i Veprimit të Bazelit), organizatë mjedisore me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngriti alarmin se ngarkesa përmbante mbetje të rrezikshme.

Mbetjet e rrezikshme, tranzit në disa porte

“Mbetjet lëvizën fillimisht drejt Italisë. Aty sasia u ngarkua në dy anije të ndryshme tregtare të kompanisë “Maersk”: “Maersk Candor” dhe “Maersk Campton”. Të dyja anijet përshkuan të njëjtin itinerar, por ato lundruan shumë ditë larg njëra-tjetrës. Nga Italia udhëtuan drejt Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe më pas Singaporit. Mendohet që ato kaluan përmes bregut perëndimor të Afrikës për të shmangur zonën e Detit të Kuq, për shkak të piraterisë Houthi. Anijet kishin vendosur të ankoronin në Afrikën e Jugut por pasi ne njoftuam qeverinë, aëherë ato fikën fenerët lokalizues deri afër Singaporit. Kjo “zhdukje në errësirë” ishte shumë e pazakontë “– thotë për Deutsche Welle Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN.

Frika e BAN lidhej me përmbajtjen e pluhurit të këtyre kontenjerëve, të cilët i përkasin “Kurum”, kompanisë turke të industrisë së përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. “Ne druhemi se kjo ngarkesë përmban lëndën që pretendon burimi ynë konfidencial: pluhur çeliku që çlirohet nga furrat me hark elektrik. Nga BE është përcaktuar si mbetje e rrezikshme. Hiri që grumbullohet në filtrat e furrave përmban kryesisht metale të rënda të rrezikshme si plumbi, kadiumi, zinku, nikeli etj. Por përmban gjithashtu elementë toksikë, që shkaktojnë kancer, si për shembull dioksinat, furani, hidrokarburet aromatike policiklike” – sqaron Puckett.

Vetë kompania “Kurum” nuk e ka pranuar deri tani se ngarkesa i përket kompanisë. Në një reagim për mediat më 21 gusht të këtij viti, pasi BAN ngriti alarmin për lëndën e dyshuar, kompania tha: “Kurum International nuk ka eksportuar asnjëherë mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilen bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Mbetjet nga “Kurum” rezultuan të ishin blerë nga kompania eksportuese “Sokolaj” – tashmë nën hetim nga prokuroria e Durrësit – e cila pretendon se nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme.

Gjatë gushtit, përmes një njoftimi të përbashkët për mediat, ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës, u shprehën njëzëri kundër rikthimit të sasisë së mbetjeve që ishin nisur drejt Tajlandës. “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”./ DW

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here