Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar pas denoncimit të gazetares Rudina Muça ndaj Anila Denajt, ministre e Bujqësisë, për presionin që kjo e fundit ka bërë ndaj motrës së gazetares për pushim nga puna.
Muça ka denoncuar sot në rrjetet sociale rastin dhe ka akuzuar Dendajn se po përpiqet t’i mbyllë gojën për denoncimet që gazetarja ka bërë në një emision të sajin në lidhje më shpenzimin e 1.7 milionë eurove për vaksinën e brucelozës.
Zhupa thotë se aktet e Denajt tregojnë qartë atë që shkruhej edhe në raportet e BE për regresin që ka bërë Shqipëria në raport me lirinë e medias.
Postimi i Zhupës
Anila Denaj të ndal presionin ndaj gazetares së Top Channel, Rudina Muca me shkarkim nga puna të motrës së saj dhe të jap llogari për faktin se ministria që drejton nuk e ka kryer vaksinën kundër Brucelozës edhe pse kjo vaksinë ka kushtuar 1.7mln euro.
Denoncimi kurajoz dhe profesional në shërbim të interesit publik duhet të bëj që organet e drejtësisë të hetojnë.
Ministrja Denaj në vend të kërcënimit ndaj familjarëve të gazetares me qëllim intimidimin dhe presionin për mos nxjerr të vërtetat, duhet të mbaj përgjegjësi për dikasterin që drejton. Bujqësia në fakt është nga sektorët më të dështuar të kësaj qeverie ku janë të specializuar për zhdukjen e fondeve europiane dhe shqiptare.
Këto akte tregojnë fare qartë edhe për regresin që tregonte Bashkimi Europian në raport me lirinë e medias dhe që aferat qeveritare nuk marrin përgjigje me hetim të fajtorëve por me kërcënim dhe intimidim të denoncuesve.