Lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal edhe njëherë tjetër te marshimi i thirrur nga Partia Demokratike në solidaritet me Shkodrën, pas masakrës me tre viktima para dy ditësh.Nesër qytetarët e mbarë Shqipërisë marshojnë në orën 12:00 në solidaritet me Shkodrën”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më miqësore, më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme, ju misionareve dhe misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar, të kauzës së lirisë, dinjitetit, kauzës së interesit kombëtar të mbarë shqiptarëve.
Një përëshëndetje të përzemërt sot, për të gjithë oratorët e kësaj patforme të fjalës së lirë, të zërit të qytetarëve të lirë që përcjellin në mbarë vendin të vërtetat e këtij narkoregjimi, por përcjellin, guxim, shpresë e besim, tek fitorja jonë, tek e ardhmja.
Të dashur miq!
Nesër mbarë qytetarët e Shkodrës, qytetarë nga mbarë Shqipëria, demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë, marshojnë në Shkodër në një akt solidariteti, guximi dhe shpirti të pamposhtur të Shkodërloces, qytetit Rozafë, që ka qëndruar dhe qëndron i pamposhtur ndaj çdo pushtimi, ndaj çdo rrebeshi.
Masakra e Shkodrës, ishte një masakër e paralajmëruar, ishte një masakër e licensuar nga Edi Rama, narkopolicia dhe narkodrejtësia e këtij sistemi.
Të dashur miq!
Në atë masakër humbi jetën një nënë e tre fëmijëve, një zonjë, një motër, bashkëshorte, tek kthehej nga puna tek fëmijët e saj. Ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, bashkëshorti i saj.
U ekzekutuan në publik dy të rinj, por gjer sot, gjer sot, ministri i krimit nuk ka shqiptuar një fjalë të vetme për krimin e shëmtuar të bandës së qeverisë.
Gjer sot, prefekti apo kreu i bashkisë i instaluar nga banda e partisë nuk kanë guxuar të shqiptojnë një fjalë të vetme, për krimin makabër, masakrën, përgjakjen e qytetit dhe viktimat e pafajshme.
Mbrëmë kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama edhe pse u pyet direkt për këtë masakër, në një akt cinik të një shpirti katran, nuk gjeti një fjalë të vetme të ngushëllonte familjet e viktimave.
Nuk gjeti një fjalë të vetme të dënonte vrasësit e partisë shtet. U përgjigj se krimi sot, është më i zbrapsur se kurrë dhe se ajo vetëm ishte një tragjedi. Po se ishte një tragjedi nga përmbytja, apo aksident, apo masakër nga banda e partisë?
Pra kreu i narkoshtetit, lejtnantët e tij, nuk kanë guxuar, kanë kaluar dy ditë, të dënojnë aktin kriminal, masakrën e bandës së tyre. Të shprehin ngushëllime familjes së viktimave, sepse janë sponsorizuesit, frymëzuesit e masakrës.
Në Shkodër duhet të jetë çdo shqiptar, çdo e moshuar, çdo i moshuar.
U them pensionistëve se kurrë ndonjëherë në histori, nuk ka patur kurrë një qeveri të pashpirt, një qeveri që i urren dhe i përçmon ata, një qeveri që i mashtron çdo ditë, që me luksin dhe parajsën që ka ngritur për vete, mjerimi i tyre u duket lule.
Të dashur pensionistë dhe pensioniste.
Nuk mund të shoh, nuk mund të besojë Edi Rama se 140 mijë lekë që merrni, se 100 mijë lek që merrni nuk ju dalin dhe teprojnë ju për jetesë, paçka se ju numëroni kafshatën, paçka se ju numëroni ilaçet që nuk merrni dot.
Paçka se, do më falni për shprehjen, por në vendet e tjera shpenzohen më shumë për kafshët shtëpiake se shpenzon Shqipëria për ju.
Ndërkohë kreu i narkoshtetit bën jetën e luksit. Banon në saraje me themele 57 metra të gjata.
Miqtë e mi, ktheni sytë tek pallati karshi, a e dini sa i ka themelet e gjata, 48 metra, 9 metra më pak se sarajet e luksit të Edi Ramës.
Nuk mund të ju shoh ju, të dashur pensionistë dhe pensioniste Edi Rama, sepse për vete banon në një vilë me një park rreth saj, i cili ishte 5 mijë dhe tani e ka bërë 8 mijë metër katror tokë.
E kuptoni ju miq, 8 mijë metra oborri i shtëpisë, mafiozit Edi Rama, 8 mijë metra djersa e mundi juaj.
Ky hajdut, i pamëshirë, nuk mund të mos ju mashtrojë ju. Jo i thoshte pensionistes dje në studio, jo thoshte nuk është mashtru dhe mashtronte për të mos thënë atë fjalë që meriton.
Gënjente, në 2013 thoshte pensioni mesatar ishte 100 euro, ndërkohë që pensioni mesatar ishte fiks 145 mijë lek. Ishte i vogël, ska diskutim dhe prap duhej të rritej, por ama ai pension mesatar ishte rritur 80%. Kurse sot ai pension mesatar me rritjen e inflacionit është minimumi, 30% më i ulët se në vitin 2013, por edhe 40%.
Po të shtoni ilaçet dhe çmimet e tyre, është akoma më i ultë. Por për Edi Ramën është 200-180, e ku ta di unë, në mashtrim, nuk mund të ua dijë ai ju.
Shkon në Nju Jork dhe e gjen pagatorin e tij për 5-6 bileta së bashku, 50 mijë euro. Për atë ska ligj, ka vetëm luks. Për çdo qeveritar tjetër në Europë dhe botë, çdo dhuratë e tillë dënohet me ligj.
Por ky hajdut që mban peng vendin e tij, nuk pyet për ligjin, ai pyet për luksin. Sa kushtonte reklama do thoni ju? 150 euro një pension mesatar në 15 sekonda. Qindra e mijëra euro kushtoi për 3 ditë, por për këtë nuk ka rëndësi njeriu, hallet, derdet dhe jeta e tij. Por për të ka rëndësi vetëm luksi, luksi, luksi të zhgërryhet në luks.
Ndaj dhe takimi bëhej në sallën më luksoze të Nju Jorkut me kosto të karriges, 300 dollarë. Ndaj dhe me avion në 2 vite shpenzoi 21 mln euro, udhëtim me avion taksi.
Ky nuk e ndjen për ju të dashur pensionistë, rrini ju thotë, ky tallet me ju.
Po kur u thotë se trefishimi, katërfshimi i rrogave të ministrave, deputetëve, rrogës së tij ndikon mirë tek ju. A ka cinizëm më të madh se ky?
Nuk ka vend në botë në të cilën të ketë një rrogë sa 60 pensione mesatare. Nuk ekziston.
Nuk ka vend në botë të ketë një rrogë sa 10 rroga mesatare.
Nuk ka vend në botë të ketë një rrogë sa 20 rroga minimale.
Kjo është Shqipëria e tij.