Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të ketë një nivel alarmant ndotjeje.
Kryeqyteti vijon të jetë në vijë të kuqe për ndotjen e ajrit, duke vënë në rrezik qytetarët.
Sipas matjeve të aplikacionit gjatë pasdites së sotme rezulton se ndotja e ajrit është shumë e madhe dhe shumë e dëmshme për shëndetin e njerëzve.
Grimcat e ndotjes së ajrit (PM2.5) në Tiranë janë 202 µg/m3, ndërkohë që sipas standardeve të BE-së nuk duhet të jenë më shumë se 50 µg/m3.
Edhe sipas standardeve të Agjencisë Kombëtare Shqiptare të Mjedisit nuk duhet të jenë më shumë se 60 µg/m3.
Kjo situatë në kryeqytet vijon prej kohësh, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj vetëm merret me propagandë.
Për mospastrimin e plehrave, disa javë më parë ai fajësoi kompanitë private, ndërsa të dhënat e fundit konfirmojnë edhe njëherë se fajtori i vetëm është qeverisja vendore, pra Erion Veliaj.
Këto shifra alarmante rrëzojnë edhe propagandën e pyllit orbital, pasi nëse do të kishte pemë, ndotja nuk do të ishte kaq e madhe, do të kishte më shumë oksigjen dhe jetët e qytetarëve nuk do të ishin në rrezik nga pluhurat në ajër.
Veliaj jo vetëm që nuk po e pastron Tiranën, por po e bën çdo ditë edhe më të pisët, duke rrezikuar të sjellë pasoja serioze në shëndetin e qytetarëve.
PM2.5 rrit sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore dhe kjo është e vërtetuar nga studimet shkencore, pa përmendur më tej problemet e tjera që sjell për shëndetin.
Megjithatë, Veliaj, i zhytur “kokë e këmbë” në korrupsionin me drejtorët e tij dhe në hall nga problemet me drejtësinë, nuk e ka mendjen te cilësia e ajrit dhe ndotja e kryeqytetit. Ai po vijon propagandën dhe po injoron ndotjen e Tiranës./cna