Rama lan duart për 800 ton mbetjet që vijnë në Durrës

0
57

Supozohej që e vërteta do të qartësohej më tej në përgjigjien që Edi Rama do t’i jepte Gazment Bardhit në parlament për 800 ton mbetje që po kthehen në Durrës pasi u refuzuan nga Tajlanda. Por me fjalimin e mbushur me mllef, cinizëm dhe sharje për opozitën që kërkon llogari, kryeministri vetëm sa e shtoi mjegullën mes së cilës lundrojnë dy anijet me lëndë kimike.

Gazment Bardhi gjate interpelancës me Edi Ramën në kuvend
Gazment Bardhi gjate interpelancës me Edi Ramën në kuvend

Sepse në përgjigjen e tij, Rama la të hapur të dy variantet që janë përfolur deri tani për tonelatat me lëndë kimike që alarmuan organizatat ndërkombëtare të ambjentalistëve.

VARIANTI I PARE, MBETJET NUK JANE TE RREZIKSHME

Meqënëse letrat në doganë “janë kopsitur”, Edi Rama ka shpërthyer në sharje kundër atyre që e kanë pyetur për lëndët kimike dhe kundër atyre që kanë kërkuar transparencë për këtë çështje. Sipas tij, skandali u shpik nga kokat e sëmura që janë prekur nga psikopatologjitë, të atyre që shkruajnë fletërrufe dhe të atyre që udhëhiqen nga fantazi malinje” , që ka për qëllim “helmimin e shqiptarëve” përmes burimeve dixhitale.

“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme” u shpreh kryeministri në parlament.

Për Ramën mjafton që certifikata e analizës së mallrave tregon se këto “mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme” dhe për pasojë është “alogjik” aludimi për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare, një hamendësim që sipas tij vjen nga “të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike”.

E vërteta është pak më ndryshe. Fillimisht ishin autoritetet tajlandeze që refuzuan të pranojnë në territorin e tyre mbetjet e nisura nga Shqipëria, sepse ndryshe nga çfarë parashikohet në ligjet ndërkombëtare anijet ishin nisur pa marrë më parë miratimin e shtetit pritës.

Denoncimi fillestar në media u bë nga media amerikane me reputacion global Bloomberg, që raportoi se 800 ton mbetje që transportoheshin nga Shqipëria ishin refuzuar nga Tajlanda dhe tani po ktheheshin mbrapsht.

Po ashtu, ishte organizata ndërkombëtare ambjentaliste “Rrjeti ndërkombëtar i Bazelit” që e ndoqi me interes këtë çështje duke ngritur dyshime të forta se ngarkesat me lëndë kimike ishin tentuar të trafikoheshin drejt vendeve aziatike në shkelje të konventave ndërkombëtare.

Duke i shumëzuar të gjitha këto me zero, Rama akuzon opozitën dhe mediat në Shqipëri që minimumi kanë bërë ndonjë përkthim, ndërsa maksimumi kanë publikuar ndonjë informacion të hetimeve të prokurorisë dhe reagimet e plota të ministreve të tij, të mjedisit dhe të transporteve.

VARIANTI I DYTË, MBETJET JANË TË RREZIKSHME POR FAJIN E KA EKSPORTUESI

Në daljet e tij publike, Edi Rama mund të ketë bërë me dhjetëra vërejtje për t’i kujtuar intervistuesit se ai asnjëherë nuk flet me “sikur”. Por në përpjekej për t’i shpëtuar përgjegjësit e skandalit të 800 ton mbetjeve që po udhëtojnë drejt Durrësit, e ka bërë edhe këtë. Sepse nuk jep dot garanci se mbetjet nuk ishin të rrezikshme.

“Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është asesi i ndaluar, as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar” u shpreh kryeministri.

Por në këtë rast, një përgjegjës duhet të ketë. Sepse dy anijet pritet të mbërrijnë në Durrës në muajin shtator. Kush do të përgjigjet para prokurorisë për plehrat që do të shkarkohen në Durrës?

Kurum thotë se mbetjet i ka prodhuar por tani i ka shitur. Me një deklaratë zyrtare, kompania nuk pranon më përgjegjësinë për to, ndërsa kërcënoi për disa ditë me mbylljen e furrave dhe lënien pa punë të qindra familjeve në Elbasan.

Ish-drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu ne postin e Ministrit të Mbrojtjes
Ish-drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu ne postin e Ministrit të Mbrojtjes

Ish-drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu tani është i paprekshëm nga prokuroria e Durrësit. Pak ditë pasi u mësua për skandalin ai u katapultua nga Rama si Ministër i Mbrojtjes. Duke qenë tashmë një zyrtar i lartë, Vengu mund të hetohet vetëm nga SPAK, që nuk ka ndonjë hetim për këtë çështje.

Kompania gjermane “EMS Shipping and Trading GMBH” u largua nga koncesioni i menaxhimit të kalatës lindore të portit të Durrësit. Menjëherë pas skandalit, ia shiti aksionet një kompanie kroate për një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh. Transaksioni nuk kishte asnjë logjikë ekonomike, për sa kohë porti do të kalojë për ndërtimin e pallateve të Alabar.

Në këto kushte, e vetmja që mbetet për t’u faktuar është kompania e transportit Sokolaj sh.p.k. Këtë bëri edhe Rama në fjalimin e tij.

“Në rast se eksportuesit kanë kryer ndonjë mashtrim, nuk janë politikanët dhe aq më pak pastaj janë tellallët e penxhereve dhe tenxhereve të çorbës politike të Tiranës që mund të ndajnë zbatimin e ligjit nga shkelja e tij, por janë organet hetimore ligjzbatuese, të cilat si gjithnjë ne i mbështesim pa kushte, sepse për ne janë institucione të drejtësisë, nuk janë sipas oreksit institucione të drejtësisë apo organizata kriminale në të njëjtën kohë dhe me të cilat bashkëpunojmë në çdo rast, pa kushte” tha Rama, duke mohuar përgjegjësitë e institucioneve shtetërore.

 

 

Me pak fjalë, kufijtë e Shqipërisë janë në dorë të eksportuesve. Nëse rastis që të trafikojnë armë, drogë apo çfarëdo tjetër, shteti nuk ka asnjë përgjegjësi. Çështja është që skandali me mbetjet nuk përfundon këtu. Në pikëpyetje mbetet destinacioni përfundimtar i dy anijeve të kompanisë Maersk që  janë duke udhëtuar drejt Shqipërisë. Ku do të përfundojnë 800 ton lëndë kimike? A do të pranohen brenda territorit shqiptar? Kush do të paguajë për trajtimin e tyre? Për këto, qeveria nuk bën dot sikur nuk ekziston./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here