I ftuar në TASK FORCE në SYRI TV me Sonila Meçon, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi u shpreh se SPAK është një kobure politike e cila përdoret nga kryeministri Edi Rama për të goditur kundërshtarët e tij politikë.
Sipas Boçit, ‘sot goditja nuk është thjeshtë për Sali Berishën por sot akuza është për demokracinë shqiptare, për demokratët për të gjithë shqiptarët’.
Sot goditja nuk është thjeshtë për Sali Berishën por sot akuza është për demokracinë shqiptare, për demokratët për të gjithë shqiptarët, nga mënyra se si është keqpërdorur drejtësia për të vendosur padrejtësi politike në favor të një personi i cili fatkeqësisht sot ka frenat e pushtetit në Shqipëri dhe keqpërdor çfarë do lloj pushteti. Sulmi është politik dhe është një lloj vazhdimi i vendimeve të një bande kriminale për të arritur qëllimet e veta dhe jo më kot bën paralelizëm me ’97 kur e majta ekstreme e mori pushtetin me dhunë dhe sot në këtë rast duke vendosur sundimin e saj me dhunë juridike të shitur para shqiptarëve si drejtësi por nuk është drejtësi.