Sekuestrimet/ BIRN: Kompania 5D u vu nën hetim nga prokuroria pas denoncimit të Belind Këlliçit

0
65

Prokurorët e SPAK vendosën sekuestro preventive të kompanisë që përfitoi miliona euro tenderë me procedura të dyshuara si të manipuluara. Nën sekuestro edhe aksionet e Redi Mollës në hotelin me status qeveritar si investim “special”.

BIRN

Prokurorët e posaçëm njoftuan të martën se kanë kërkuar dhe marrë autorizim nga gjykata për sekuestro preventive të kompanisë 5D Konstruksion si dhe të kompanisë Restur dhe aseteve të saj, konkretisht 24% të aksioneve në kompaninë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, e cila po ndërton një hotel me vlerë të deklaruar 15 milionë euro dhe që ka marrë statusin “special” nga ana e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Prokurorët thonë se morën vendimin e sekuestros pasi hetimet zbuluan se të ardhurat e kompanisë 5D Konstruksion përbëjnë produkt të veprave penale si dhe faktin që paratë e përfituara nga 5D Konstruksion u nxorrën cash prej saj për t’u përdorur nga pronarët e dyshuar, Mariglen Qato dhe Redi Molla, për blerjen e pronave të tjera.

“Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme. Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm  se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Kompania 5D Konstruksion u vu nën hetim nga prokuroria pas një denoncimi të kandidatit të opozitës për postin e kryebashkiakut të Tiranës Belind Këlliçi, i cili deklaroi në vitin 2023 se kompania i përket drejtorëve të bashkisë pavarësisht se rezulton nën pronësinë e një qytetari tjetër.

Në prill të këtij viti, prokurorët arrestuan Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, dy drejtues jetëgjatë të bashkisë Tiranë gjatë qeverisjes së kryetarit Erion Veliaj dhe i akuzuan për manipulim tenderësh, korrupsion dhe pastrim parash. Krahas tyre u vendosën në masa sigurie dhe disa drejtorë të tjerë të bashkisë, të cilët akuzohen për manipulim të tenderëve.

Kompania 5D, e cila ka pasur të ardhura bruto prej 22 milionë eurosh mes viteve 2016 dhe 2022, është zgjeruar gjatë viteve të fundit në ndërtim pallatesh ndërsa një prej aksionerëve të saj, Redi Molla, ka hyrë si investitor në hotelin me status special në Durrës. Kompania e hotelit do të vijojë të administrohet nga pronarët ndërsa SPAK është përmbajtur me sekuestrimin vetëm të 24% të aksioneve të kontrolluara nga Molla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here