2019-2023, diplomat bachelor rënie me 26%, braktisen studimet për mësues

0
113

Numri i diplomave në ciklin e studimeve bachelor po reduktohet me shpejtësi, teksa nga viti 2019 në 2023 ranë me mbi 26%. Të dhënat e INSTAT referojnë pothuajse se gjysma e rënies është akumuluar në vitin 2023, ku numri i diplomave në këtë cikël u tkurr me 14%.

Gjithnjë e më shumë të rinjtë nuk po zgjedhin arsimin e lartë si një investim për të ardhmen e tyre, teksa kriza demografike po ndikon negativisht të gjithë ciklin e jetës në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2019 u shpërndanë 18,696 diploma bachelor në të gjithë arsimin e lartë publik dhe privat, ndërsa në vitin 2023 u shpërndanë vetën 13,800 të tilla.

Të dhëna të detajuara të vitit 2022 për shpërndarjen e diplomave bachelor sipas fushave të studimit tregojnë se studimet që lidhen me prodhimin e mësuesve janë në krizë. Në vitin 2022 u shpërndanë vetëm 341 diploma në degët e arsimit nga 1613 të tilla që u dhanë në vitin 2015 me rënie 79%.

Ky numër diplomash nuk mjafton për të zëvendësuar tashmë vendet vakante në shkollat publike në të gjithë vendin. Bashkitë e Kukësit dhe Dibrës janë me mungesa totale për mësues matematike, teksa Shqipëria po shënon rënie rekord në arritjet mësimore të konfirmuara nga testimi ndërkombëtar PISA 2022.

Ndërkohë rritjen më të madhe e kanë shënuar diplomat për fushat e studimeve që kanë lidhje me shërbimet. Kjo është një tendencë pozitive, teksa kërkesa për këto degë po rritet me zhvillimet në turizëm. Në vitin 2022 kishte 809 diploma në këtë drejtim me rritje 110% në krahasim me vitin 2015.

Rritje të diplomave ka edhe për degët e TIK, inxhinierisë përkatësisht me 17.5 dhe 23.5% secila ndërmjet 2015 dhe 2022. Gjithashtu diplomat bachelor që kanë lidhje me shëndetin u rritën me 9.4% dhe shkencat sociale dhe gazetaria me 8%.

Ndërkohë ka rënie të ndjeshme të diplomave në artet dhe shkenca humane me 29% dhe biznes, administrim dhe ligje me 29%. Ekspertët e arsimit pohuan se rënia e diplomave në ciklin e parë të studimeve të larta po ndikohet nga reduktimi i popullsisë nën 18 vjeç dhe braktisjes së studimeve.

Marrë nga Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here