Rai.it mbrëmjen e sotme do të transmetoj detaje të reja në lidhje me marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët. Njeriu kyc i Paktit Itali-Shqipëri është një ish avokat i narkotrafikantëve në Tiranë.
“Qeveria Meloni ka arritur një marrëveshje për të dërguar në Shqipëri disa prej emigrantëve që tentojnë të hyjnë në Itali nëpërmjet Mesdheut.
Puna nisi pak javë më parë për ndërtimin e dy qendrave të pritjes ku sipas parashikimeve të kryeministrit do të devijohen rreth 36 mijë azilkërkues në vit.
Por siç zbuloi Raporti, kostot tashmë janë jashtë kontrollit. Krahasuar me 650 milionë euro të buxhetuara fillimisht për 5 vjet, shpenzimi i përgjithshëm mund të kalojë pragun e 1 miliard eurove. Madje edhe parashikimet e bëra nga qeveria për numrin e emigrantëve duken shumë optimiste.
Prandaj do të shpenzonim shuma disproporcionale, krahasuar me kostot e zakonshme të menaxhimit në Itali, për të dërguar mezi 3000 emigrantë në vit në Shqipëri, të cilët në çdo rast do të duhet të transferohen më pas në Itali.
Pra, kush do të përfitojë realisht nga kjo marrëveshje? Raporti gjeti disa reagime të papritura dhe shqetësuese në Shqipëri, të cilësuara nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë si një “Narkostat” për shkak të ndikimit të fortë të karteleve mafioze shqiptare në aktivitetet e qeverisë.
Një mafi që është rritur në mënyrë eksponenciale vitet e fundit, edhe nën syrin vigjilent të autoriteteve italiane,” shkruan media italiane.
Kujtojmë që më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.
Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm.
Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.
Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka deklaruar se marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët rrit shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe shton shqetësimet për trendin evropian që përgjegjësitë për azilkërkuesit të dalin jashtë kornizës evropiane.
Po ashtu, marrëveshja është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, që e ka quajtur atë si “të jashtëligjshme dhe të pazbatueshme”.