Që prej një jave, kur arrestimi i drejtorëve të bashkisë, të cilët kalonin paratë publike që tenderonin vetë në kompaninë e tyre private 5D, po qarkullojnë një sërë pandehmash për burimin e kësaj goditjeje.
Nga erdhi ajo? Kush i prangosi njerëzit më të afërt të Veliajt, që dukeshin të paprekshëm? A ka vepruar SPAK i lirë? A ka gisht Rama? A është rezultat i luftës brenda llojit, apo pasojë e denoncimeve të opozitës?
Lapsi.al i ka rimarë hipotezat kryesore duke analizuar elementët pro dhe kundër secilës, për të parë se deri në ç’pikë e minon kjo ngjarje imazhin e kësaj qeverisjeje dhe nëse e forcon ajo mitin e të paprekshmëve, që në fakt janë grabitësit realë.
PRO / Një version që gëlon gjerësisht është ai se Tushe, Qato dhe Molla janë viktima të luftës brenda llojit në organizatën rilindase. Sipas saj, janë njerëzit e Belinda Ballukut, zv kryeministres së fortë që kontrollon aktualisht më shumë se 80% të buxhetit, ata që kanë lobuar për të dobësuar pozicionin e Veliajt. Ky hamendësim mbështetet edhe nga kronologjia e fakteve, se goditja e drejtorëve të Lalit u bë menjëherë pasi SPAK hëngri krahun e djathtë të Belës, drejtorin e rrugëve, Evis Berberi. Ai shkon përtej kur dihet botërisht rivaliteti i ashpër mes dy personazheve kryesorë për të siguruar vendin e numrit dy të kupolës, pas Edi Ramës.
KUNDER / Por, një gjë e tillë ka pak gjasa të jetë e vërtetë, sepse para se të jetë një parti plurale me klane dhe me rryma, PS është shndërruar në një çetë, ku komandon një njeri i vetëm. Dhe Edi Rama, me pushtetin e tij absolut, e ka ndaluar prej kohësh lojën e pisët të vartësve që për ti bërë gropën njëri tjetërit, fëlliqin edhe figurën e tij dhe i bëjnë dëm organizatës. Ai shpesh i ka sanksionuar ata që denoncojnë te kundërshtarët njëri tjetrin, sidomos për aferat korruptive. Kulmi i kësaj politike hakmarrëse u bë Arben Ahmetaj që u hodh në gojë të ujkut vetëm e vetëm se u dyshua se furnizoi opozitën me dokumenta për inceneratorët. Deri më tani, ish zv kryeministri është njeriu që e ka paguar më shtrnjtë, çmimin e daljes nga reshti, në emër të interesave të veta personale. Ky shembull ka shërbuer si një mësim i mirë edhe për Lalin edhe për Belën. Ata për të mos pësuar të njëjtin fat nga Rama, janë mësuar ta përmbajnë urrejtjen dhe rivalitetin ndaj njëri tjetrit. Prandaj, ndonëse shumë i përhapur versioni se drejtorët e Bashkisë janë dëhmorë të luftës së brendëshme ka pak gjasa që të jetë real.
Një lojë e Ramës për të njollosur pasardhësin
PRO / Megjithëse qeverisja e Edi Ramës është ajo që paguan çmimin më të lartë në imazh nga zbulimi i vjedhjes halldupçe në bashki, ndonëse lideri e mbështeti edhe publikisht delfinin e tij, duke përdorir alibinë e vet se edhe atij i kanë vjedhur shokët pas shpine, sërish zërat se kryeministri qëndron pas goditjes kundër njerëzve të Veliajt, janë të forta.
Po cili mund të qe qëllimi? Ata që mbrojnë këtë tezë argumentojnë me një kalkulim të pastër politik. Ata thonë se Rama tashmë është i bindur se nuk qëndron në pushtet përmes moralit (që e di se e ka bërrnut, si një kleptokrat me damkë), por përmes eleminimit të çdo lloj kundërshtari dhe alternative. Pikërisht për këtë arsye ai u angazhua për të përçarë PD-në dhe për të shpallur non grata Berishën, pretendojnë ata që mbështesin këtë version. Duke qenë se i ka dalë boja dhe duke qenë se opozita është në pikë të hallit, frika e vetme e Ramës është përballja me një kërkesë për tu latguar vullnetarisht nga pushteti përmes caktimit të një pasardhësi brenda PS-së. Dhe nëse do kishte një të tillë ai do të qe vetëm Veliaj. Prandaj bërja pis e Erionit përmes daljes në publik të skandalit 5D, i interesonte vetëm Ramës, arsyetojnë idhtarët e kësaj hipoteze. Duke e vizatuar edhe Veliajn si hajdut, Rama mbetet pa alternative në opozitë dhe pa të tillë brenda llojit.
Deklaratat/ Si e “vodhi” Veliaj mbështetjen e Ramës
KUNDER /Megjithëatë, marrja parasysh e një hipoteze të tillë ka të domosdoshme një premisë. Një largim të butë, në kushtet kur opozita e brendëshme është e dobët, Edi ramës mund tia kërkojë vetëm ndonjë faktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Pra vetëm në një rast të tillë ai mund të abdikonte në favor të një pasardhësi si Veliaj. Por në realitetin e sotëm nuk janë dukur as shënjat më minimale se kryeministri të jetë përballë një presioni nga aleatët tanë perendimorë. Në të kundërt, me gjithë skandalet ata kanë shprehur përkrahje publike për të. Në këto kushte atij nuk i leverdis ta bëjë pis Lalin, pasi askush nuk ia ka paraqitur atë si zëvendësues.
Drejtësi normale pas denoncimit të opozitës
PRO / Ka edhe një version tjetër që në pamje të parë duket më pak i mbështeturi në teori konspirative. Sipas tij, Belind Këlliçi i PD-së ka denoncuar faktet, ato kanë qenë flagrante dhe tronditëse dhe kur është përballur me to, SPAK ka vepruar në zbatim të ligjit. Sipas kësaj logjike Prokuroria e Posatçme është një institucion i pavarur qëllimi i së cilës është të ndëshkojë keqbërësit dhe të vërë në vend drejtësinë. Ajo ka filluar hetimet për drejtorët e 5D, ka zbuluar provat në celularët dhe kompjuterat e arrestuar dhe ka proceduar në mënyrë normale me arrestimet.
Por po të besonim këtë version, ka një handikap të madh logjik. Ato mbi 20 milionëeuro në plot 23 tendera të dhëna në mënyrë të paregullt, kanë pasur të gjitha bekimin e kryebashkiakut Veliaj. Qato, Tusha dhe Molla kanë qenë njërëzit më të afërt të tij. Ata kanë qenë shtyllat e fushatës elektorale dhe e rizgjedhjes së tij majin e shkuar. Pra një drejtësi e pastër dhe e qëllimmirë nuk mund të ndëshkojë zarat duke amnistuar përfituesin real të abuzimit. Prandaj teza e një SPAK-u për vepron pa axhendë dhe kalkulime rrëxohet lehtësisht.
Loja e dirigjuar e SPAK
Po atëherë, kur nuk është lufta brenda llojit, kur përjashtohet faktori i gjithpushtetshëm Rama, kur drejtësia paragjykohet si e kapur, si duhet shpjeguar goditja e njerëzve të Veliajt? Një version më pranë së vërtetës duhet eksploruar tek kontradikta brenda hipotezës së tretë. Dhe këtu nuk ka PRO apo KUNDER, por një hipotezë të vetme. Ajo është se kemi të bëjmë me një SPAK që vepron vetë, por që nuk ka leje të ngjitet deri lart. Ata ndërkombëtarë që e kanë mbështetur, financuar dhe e kontrollojnë, në një farë mënyre, Prokurorinë e Posaçme, e yshtin të mos jetë indiferente ndaj denoncimeve si ato që bëri Belind Këlliçi. Kur gjenden përballë skandaleve si ai i 5D, ata e dinë se do të humbisnin çdo lloj kredibiliteti nëse “margaritari i kurorës” së reformës në drejtësi qëndronte pasiv.
Sipas të gjitha gjasave janë faktorë të huaj ata që i kanë shtyrë prokurorët të veprojnë kundër drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. Por janë të njëjtët të huaj, që në emër të stabilitetit dhe mos krijimit të trazirave, i kanë vendosur atyre dhe një tavan të xhamtë. I kanë treguar politikanët që nuk preken. Në këtë mënyrë janë spakistët ata që kanë vepruar për të shpënë në burg drejtorët, pa cënuar Erion Veliajn, duke u bërë pjesë e një drejtësie të dirigjuar, e cila nuk ka të drejtë të prekë peshqit e mëdhenj.