Genc Gjokutaj, avokati i kryedemokratit Sali Berisha, ka folur për mediat pasi GJKKO vendosi të shtyjë seancën për liderin e opozitës në orën 15:30.
Gjokutaj tha se SPAK po tenton ta trajtojë Berishën me ligjin e të dënuarve.
“Seanca u zhvillua mbi bazën e një debati. Ata nuk pranojnë në mënyrë absolute… prokuroria dhe SPAK konceptojnë që zoti Berisha të trajtohet me ligjin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Ata nuk pranojnë në mënyrë absolute, kërkojnë që të trajtohet si një njëri i thjeshtë, pa marrë parasysh mandatin e tij”, deklaroi Gjokutaj.
Avokati tha sërish se qëllimi i gjykatës është që të digjet mandati i liderit opozitar.
“Kjo është strategjia e Ramës dhe ata e kanë stisur këtë çështje. Këta deri më sot ia kanë arritur që me anë të kësaj gjykate të kapur, të realizojnë këtë skenar. Ne do t’i kundërvihemi me mjetet ligjore. E kemi thënë. Vendimi i gjykatës do të zbardhet në 15:30”, tha Gjokutaj.