Kryeministri Edi Rama ka pritur në një takim, Todd Robinso, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit. Ambasada e SHBA në vendin tonë ka zbardhur temat e diskutimit, ku ndër të tjera zyrtari i lartë ka theksuar rendësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës.
Po ashtu është folur për rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi.
“Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me Kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi mbi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.
“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, u shpreh ministri i Brendshëm.