Denoncohet tenderi, Arli Naska drejtori kanakar i Veliajt i dhuron mikut të tij 75 mln lekë

0
406

Arli Naska, një nga drejtorët jetëgjatë të Lali Erit, “prodhon” aq shumë dokumente të shtypura sa nuk mjaftojnë as 75 milionë lekë (pa përfshirë TVSH) për kujdesin e printerave. Arli është i shfrenuar në shpenzime! Pasi bleu 25 milionë lekë kolltuqe lëkure për zyrën e tij, po e mbyll vitin me një tender tjetër me fond të fryrë.

 

Duke qenë drejtor tek Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe e Tarifave Vendore të Bashkisë Tiranë, justifikohet se ka shumë shkresa dhe fatura për të shtypur (printuar). Kështu, Arli ka firmosur aferën e radhës, sigurisht me miratimin e Lali Erit. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbimi i Mirëmbajtjes së Pajisjeve të Fotokopjimit, Printimit dhe Skanimit për vitin 2023”. Viti buxhetor u mbyll, por Arli nuk ka ndërmend t’ia kursejë bashkisë këto lekë.

Ky tender është zvarritur për të fshehur abuzimin. Dyshimin tonë e vërteton Open Data, e cila e ka vlerësuar prokurimin e Arlit me “Flamur të Kuq”. Kjo shenjë përdoret për të treguar riskun e lartë të korrupsionit të zyrtarëve me fondin e tenderit.

Gijotina.com duke shqyrtuar dokumentet konstaton se pazaret për këtë tender kanë nisur më herët.

Sipas të dhënave, gara për tenderin është hapur në fund të tetorit dhe më datë 11 nëntor 2023 është bërë mbyllja e afatit për dorëzim dokumentesh dhe duhej bërë shqyrtimi i aplikantëve.

 

Por, këtu ka një ngërç, sepse më datë 13 nëntor 2023, firma IN PRINT SH.P.K ( vetmja që merrte pjesë në tender) ka bërë një denoncim në Komisionin e Prokurimeve Publike, ku kërkonte modifikim i dokumenteve nga autoriteti kontraktor, duke pretenduar se kishte shumë mangësi, kritere burokratike që përplaseshin me njëri-tjetrin.

 

Edhe pse zakonisht KPP i vonon përgjigjet, për të mos mbajtur peng punën e drejtorëve, një ditë më pas pa kaluar 24 orë, ka pranuar ankesën e IN PRINT dhe i ka kërkuar Arli Naskës që të modifikojë dokumentet e tenderit.

 

Pas këtij vendimi, për një muaj, çështja ka mbetur peng mbi tryezën e Arli Naskës.

 

Pritej që ai të ndryshonte dokumentet dhe të rihapte garën, por drejtori, nën shembullin e Lali Erit i ka rënë shkurt dhe ia ka dhuruar tenderin firmës që e “denoncoi”.

 

Kështu, IN PRINT me pronar Martin Maton e ka marrë tenderin pa konkurrencë, pasi Arli ka shkelur hapur ligjin mbi prokurimet. Ankimimi në KPP është një lojë që e ndjekin së fundmi kompanitë që kanë mbështetje nga zyrtarët, për t’u krijuar alibinë që vendimmarrja “detyrohet” me urdhër nga lart.

 

Por, një pyetje kemi për drejtor Arlin, si do t’ia mirëmbajë Mato printerat e Tatimeve, kur firma e tij nuk është e licencuar për këtë shërbim. Këto mangësi, me sa duket KPP nuk i sheh, por drejtor Arli duhet të ketë kujdes, sepse për firma të gabuara, kolegu i tij drejtori Taulant Tusha ndodhet pas hekurave të burgut.

 

Ja për shembull, në kriteret e tenderit që i ka përgatitur vetë Arli Naska, thuhet se “Për të provuar kapacitetet ekonomike dhe financiare, Operatori Ekonomik duhet të paraqesë vërtetim për xhiron vjetore të realizuar gjatë 3 (tre) viteve të fundit financiare: 2020,2021, 2022, ku vlera e xhiros për të paktën një nga vitet e periudhës së kërkuar duhet të jetë jo më e vogël se 40 % e vlerës së përllogaritur të kontratës që prokurohet”.

 

Mirëpo kompania e paracaktuar të xhirojë këto para është “modeste” për nga xhorja ekonomike e realizuar.

 

Kompania e In Print, me bazë në Gjirokastër, e krijuar në vitin 2019, në kohën më të mirë e ka xhiron afro 2.4 milionë lekë (me TVSH). Kur për këtë kontratë duhej të arrinte të paktën vlerën 3.6 milionë lekë ( të vjetra)  me TVSH.  Pra, nuk e përmbush këtë kusht të prokurimit. Kjo na lë të dyshojmë se Arli Naska e zhvilloi tenderin me një kompani që e kishte paracaktuar t’i merrte këto para, pavarësisht se nuk i arrin kriteret e prokurimit. Së fundmi, theksojmë se janë me dhjetëra kompani në kryeqytet që mund ta kryejnë këtë shërbim dhe Arli e bëri tenderi me vetëm një pjesëmarrës nga Gjirokastra.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here