Nga Gent Strazimiri
Skandali “Inceneratorët”, si çdo aferë tjetër korruptive, ka protagonistët e zakonshëm: denoncuesit dhe keqbërësit.
Denoncuesi është më së pari Abi Malltezi me 470 e ca denoncime që nga viti 2015, i pasuar nga Sali Berisha me edhe më shumë denonci e se i pari dhe, në një pikë vendimtare edhe Monika Kryemadhi.
Keqbërësit janë po ashtu të mirënjohur! Janë Edi Rama, Erjon Veliaj, Engjëll Agaçi, Artur Metani dhe në një pikë vendimtare Arben Ahmetaj, Alqi Blako dhe Lefter Koka.
Aktualisht, nën masa sigurie ekstreme janë denoncuesit e aferës, dhe jo keqbërësit…?!
Madje, masat ndaj denoncuesve ashpërsohen edhe më shumë, pa pyetur për ligjin, sa më shumë ata sjellin në vëmendjen e SPAK-ut prova dokumentare të reja që provojnë keqbërjen dhe ekspozojnë pa shpëtim keqbërësit…
Ndërkohë, keqbërësit e mirënjohur publikisht krenohen me “rezultatet” e “drejtësisë së re” e me SPAK-un, të cilin e quajnë publikisht krijesë të vetën…
Si ilustrim “të rezultateve”, përdorin arrestimet e bashkëpunëtorëve e vartësve të tyre, punonjës të nivelit të tretë të administratës, të cilët janë në burg për shkak të shkresave të publikuara, të firmosura nga Edi Rama, e Erjon Veliaj… dora vetë!
Ajo që po ndodh, i kalon përmasat e groteskut të filmave italianë të viteve ’60 ku në fund të filmit, nën tingujt e muzikës së Ennio Morricone, mafia triumfonte në pritje mondane me shampanjë, ndërsa denoncuesi ose lëpinte i penduar plagët e marra nga “drejtësia”, ose më keq akoma dergjej në varreza…
Tashmë është e qartë që SPAK po i shërben një agjende politike, që nuk ka lidhje as me ligjin as me drejtësinë, qoftë kjo e kodifikuar me shkrim apo, e pashkruar.
SPAK jo vetëm po bën edhe më të pandëshkueshëm të pandëshkueshmit e zakonshëm, por po persekuton kokë për kokë, deri tek fëmijët, cilindo që guxon t’i përmendë ata, apo më keq akoma t’i prishë rehatinë duke i nxjerrë përpara syve provat që ka hequr picirin “të mos i shohë”…
Që nga duart e fëlliqura të një pushteti të siguruar me kriminelë në parlament, nuk do të mund të pastrohej drejtësia, për këtë nuk kisha asnjë dyshim, dhe e kam shprehur publikisht.
Edhe që drejtësia e kontrolluar politikisht është stadi më i lartë i korruptimit dhe rrezikshmërisë së lirisë së një shoqërie, e kam thënë dhe e kam stërthënë.
Por, që të “inceneroheshin” live, në këtë mënyrë si në filmat thriller-action-drama të Netflix, të them të drejtën këtë nuk e kam pritur.
SPAK është kthyer zyrtarisht në një element kriminogjen jo vetëm në mbrojtje të korrupsionit në Shqipëri, por më shumë akoma në konspiracion kundër rendit kushtetues të Republikës.
Kësisoj SPAK tashmë e ka vulosur vetë jetëgjatëshkurtësinë e tij të turpshme deri në minutën kur s’do ketë më pushtet banda e inceneratorëve, PPP-ve, SKY-ENCROCHAT dhe pastrimit të parave dhe këtë nuk e ndal dot askush.
Cilido që investohet për t’i dhënë kredibilitet nuk bën gjë tjetër veçse zhytet në turpin e tyre dhe merr para historisë fatin që tashmë ata e kanë zgjedhur vetë.
Për mua personalisht, sjell edhe një dramë të vogël personale: ma bën edhe më të pamundur misionin tim krejt personal, që të vazhdoj të bind pjesën më anti-sovjetike të kombit më pro-“euro-atlantik” në glob se ky sovjetizmi me “Vishinskyn” si “hero të fëmijëve tanë” që po shohin me sytë e tyre… “nuk është ashtu siç duket”…
Gjithësesi, si çdo histori me keqbërës edhe kjo do ketë një fund dhe, nisur nga “incenerimi” me kaq urgjencë, pa klas e kaq brutal i SPAK-ut, fundin nuk duket ta ketë edhe fort larg…