Ai spërkati derën e hyrjes së Prokurorisë së Monzës në Itali me benzinë dhe tentoi t’i vërë flakën. Është historia e një 60-vjeçari shqiptar që bërë xhiron e mediave italiane. Emri i personit nuk bëhet i ditur. Mediat e vendit fqinj raportojnë se shqiptari kishte shkuar pranë prokurorisë së Monzës rreth orës 7 të mëngjesit.
Ai është pikasur nga rojet në momentin që ka tentuar të ndezë zjarrin dhe është ndaluar në kohë. Menjëherë janë lajmëruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë të cilat kanë ndaluar autorin. 60-vjeçari shqiptar është dërguar në komisariat ku edhe pritet të merret në pyetje për ngjarjen e rëndë. Dëshmitarët thanë se shqiptari kishte thënë vetëm: “Dua drejtësi”.
Nuk dihen më shumë detaje. Hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes mbi motivet që e çuan shqiptarin të kryejë këtë akt. Po verifikohet nëse shqiptari ka vepruar i vetëm apo ka pasur edhe bashkëpunëtorë ndërsa është duke u saktësuar edhe gjendja mendore e autorit.