Deputeti demokrat Tritan Shehu tha se grupi parlamentar tashmë është i bashkuar dhe i unifikuar në betejat politike që po bën.
Në një lidhje direkte për Syri TV, Shehu tha se ka ardhur momenti që lufta për të vendosur parlamentarizmin duhet të zgjerohet edhe jashtë Parlamentit.
Shehu: Unë mendoj se Partia Demokratike është e bashkuar, është e bashkuar rreth idesë e bërjes së një opozite të vërtetë, rreth idesë së kundërvënies së këtij regjimi, rreth idesë për të vendosur në Shqipëri normat e demokracisë dhe të parlamentarizmit shqiptar.
Grupi parlamentar i PD tashmë është i unifikuar në betejat politike që bën. Janë 45 deputetë që po përballen me regjimin në parlamentin shqiptar. Grupi i PD vazhdon luftën e tij brenda parlamentit për të vendosur parlamentarizmin, për të vendosur të drejtat demokratike siç është drejta për mocione dhe komisioni hetimore. Ajo që luan rolin kryesor është veprimi politik, PD është e bashkuar, kush do të dëshirojë t’i bashkohet kësaj lufte opozitare, mund ta bëjë, por këto nuk bëhen me disa formula.
Esenciale është që PD është përfshirë në këtë luftë që do të shkojë duke u zgjeruar. Në momentin që shkatërrohet demokracia në parlament, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me demokracinë në tërësi jashtë këtij parlamenti. Unë jam dakord që ka ardhur momenti që ndoshta kjo luftë të zgjerohet edhe jashtë parlamentit. Veprimi po rritet.