Grupimi i Sali Berishës mbledh pasditen e sotme Këshillin Kombëtar, vendim i cili vjen pas mbledhjes së kryesisë së partisë. Në mbledhje do të diskutohet për mënyrën se si do të reagohet pas akuzave. “Të nderuar anëtare të Këshillit Kombëtar, ditën e premte dt 27 tetor, ora 18.00 në selinë e PD do të mblidhemi për të diskutuar situatën politike dhe hapat që do të ndërmarrim në vazhdim”- thuhej në njoftimin e dhënë dy ditë më parë.
Mësohet se anëtarët e Kryesisë apo edhe të Këshillit Kombëtar kanë ide të ndryshme të reagimit pas ngritjes së akuzave nga Prokuroria e Posaçme kundër Sali Berishës në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”. Pritet që Berisha të flasë me anëtarët e Këshillit Kombëtar për aksionin që pritet të nisë, ndërsa përflitet për “një foltore” numër dy, pra një dialog me shqiptarët.
Për privatizimit e kompleksit Partizani, ndaj Berishës, Gjykata ka caktuar detyrim paraqitje dy herë në muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore dhe bllokimin e pasaportës për të mos dalë nga vendi. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.