Megjithëse është zheg, Baki Myrtollari nuk resht së bëri ecejake përbri kanalit që përshkon lagjen e tij në periferi të Durrësit. Që kur u vendos këtu në vitin 2003, ai pa se si kanali shpejt u kthye në një “kolektor natyral” që mbledh ujërat e përdorura të banesave dhe i shkarkon më tej në det.
Teksa pulit sytë nën diellin e fortë të gushtit, Myrtollari po mendon hapin e radhës në përballjen e tij të gjatë me autoritetet, që nisi 5 vite e gjysmë më parë, për të mundësuar rehabilitimin e kanalit dhe ofrimin e shërbimit nga Ujësjellës-Kanalizime Durrës.
“Masakër mjedisore që i bëhet komunitetit të ish-Kënetës…me një popullsi mbi 45 mijë banorë, ujërat e zeza dhe uji i pijshëm bashkëjetojnë,” tha Myrtollari me një ton denoncues.
Edhe pse qeveria ka plane të mëdha për zhvillimin e turizmit në Durrës, infrastruktura e amortizuar e trajtimit të ujërave të ndotura përbën ende një sfidë për qytetin bregdetar.
Ujësjellësi i Durrësit është i dyti më i madh në Shqipëri dhe kompania është mbështetur vazhdimisht nga donatorët dhe buxheti i shtetit, për të përmirësuar shërbimin e ofrimit të ujit të pijshëm dhe atë të kanalizimeve.
Pavarësisht kredive dhe përfitimeve të vazhdueshme në projektet dedikuar ujësjellës-kanalizimeve, të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtë informimi’ dhe intervistat me ekspertët mjedisorë, tregojnë se një pjesë e madhe e bashkisë i shkarkon ujërat e ndotura në det të papërpunura.
Shkarkimet e ujërave të ndotura i kanë transformuar disa nga plazhet më popullore të qytetit në bomba ekologjike, të cilat kërcënojnë shëndetin e plazhistëve për shkak të ngarkesës së lartë mikrobike në ujë.
Auditet e Kontollit të Lartë të Shtetit dhe ekspertë mbi sistemin e ujësjellës-kanalizimeve fajësojnë keqmenaxhimin e fondeve dhe investimet pa planifikim të qartë, për dështimin e ndërmarrjes publike në përmirësimin e situatës.
Në një përgjigje me shkrim, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sh.a. (SHRUKD) i tha BIRN, se ka një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura (ITUN) me standarde evropiane – si pasojë e një investimi prej 11 milionë euro nga qeveria dhe Delegacioni i BE-së, por jo i gjithë rrjeti është i lidhur me këtë sistem.
“Zona e plazhit – Ura Dajlanit-Plepa, i shkarkon totalisht ujërat e zeza në ITUN. Ndërkohë që kemi zona në qytet, si Shkozeti, Ish- Këneta, Spitalla apo Porto-Romano, të cilat janë pjesërisht të lidhura me Impiantin,” tha SHRUKD.
“Shkozeti ka rrjet miks kanalizimesh, të cilat i grumbullojnë ujërat e ndotura dhe shkarkojnë në kanale të hapura. Spitalla po ashtu, por pjesërisht ka rrjet të kanalizimeve. Ndërsa në Porto-Romano nuk ka rrjet fare dhe banorët duhet të operojnë me gropa septike,” shtoi UKD, ndërsa theksoi se zonat rurale dhe ato informale që nuk kanë kanalizime, i shkarkojnë të patrajtura ujërat e ndotura në det.
Mungesë kanalizimesh
Në përpjekje për zhvillimin e turizimit elitar, qeveria shqiptare e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama i dha me koncesion portin tregtar të Durrësit një investitori nga Lindja e Mesme, Muhamed Alabar, i cili synon ta transformojë atë në një marinë luksi për jahte, hotele dhe apartamente.
Duke i’u referuar një interviste të Alabar në rrjetin kabllor amerikan ‘CNN’, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti i investitorit nga Emiratete Bashkuara Arabe do t’a transformojë Durrësin në një ‘Dubai të vogël të Mesdheut’.
Por ambiciet e qeverisë shqiptare duket se bien ndesh me infrastrukturën e amortizuar të kanalizimeve në qytetin bregdetar dhe keqmenaxhimin e ndërmarrjes publike të ujësjellës-kanalizimeve nga bashkia.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2021, përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ujësjellësi i Durrësit mbulon me shërbimin e ujësjellësit 90.8% të popullatës dhe me kanalizime vetëm 54.6%.
Infrastruktura e vetme për trajtimin e ujërave të ndotura në disa zona të qytetit pranë portit përbëhet nga kanalet e hapura, që dikur shërbenin për drenazhimin e tokave bujqësore.
Këto kanale nisin nga zona tashmë urbane e Shkozetit, përshkojnë më tej zonën e ish-Kënetës dhe atë të Porto-Romanos dhe degëzohen përmes 26 kanaleve sekondare që tërhiqen nga hidrovori i Porto-Romanos dhe shkarkohen në det, së bashku me “ujërat e zeza” të zonës së Spitallës.
“Për sa i përket ekosistemit, aty praktikisht në shumicën e rasteve është i vdekur. Mos mendoni se aty ka ndonjë ekosistem ku gëlon jeta, apo që ka peshk. Nuk ka për shkak të ndotjes së akumuluar dhe të hipertrofikimit,” tha Olsi Nika, drejtues ekzekutiv i organizatës mjedisore ‘Eco Albania’.
“Problemi është se kjo ndikon edhe në det, sepse të gjitha këto kanale grumbullohen në kolektorët kryesorë, që më pas shkojnë në det në zonën e Porto-Romanos dhe kjo e shtrin ndikimin e vet edhe në det,” tregoi Nika, i cili është autori i një studimi shkencor për zonën.
Mungesa e kanalizimeve shkakton ndotje të lartë organike të ujërave sipërfaqësore si pasojë e shkarkimeve urbane të patrajtuara dhe vlerat e tejkalojnë normën e lejuar në stacionin e monitorimit në Porto-Romano.
Ky stacion është i vetmi në Shqipëri ku përmbajtja totale e fosforit për vitin 2021 është vlerësuar mbi normën e lejuar.
“Këto ujëra dhe eutrofikimi që ato mbartin çon në varfërimin me oksigjen, çon në dëmtimin e të gjithë botës së gjallë rreth e rrotull,” thotë hidrobiologu Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës.
Kredi të reja, probleme të vjetra
Ujësjellësi i Durrësit, sipas të dhënave të bilancit për vitin e kaluar, regjistroi 16.2 miliardë lekë borxhe ose afërsisht 160 milionë euro, duke treguar për pozita të rënduara të kompanisë, që me reformën e qeverisë për ujësjellësit, tashmë është kthyer në “Shoqërinë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës” (SHRUKD), me aksionerë Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjisë me 51% të aksioneve, Bashkinë e Durrësit me 32.47%, Bashkinë e Kavajës me 8.49%, Bashkinë e Krujës me 3.45%, Bashkinë e Shijakut me 2.43% dhe Bashkinë e Rrogozhinës me 2.16%.
Sipas Ujësjellësit të Durrësit, gjatë dekadës së fundit në rrjetin e kanalizimeve të qytetit janë kryer 12 investime nga 67 investime në total. Në 5 raste ato janë ndërmarrë me buxhetin e vetë Ujësjellësit, në 3 raste përmes buxhetit të shtetit dhe në 4 raste përmes donatorëve dhe buxhetit të shtetit, nëpërmjet agjencive qeveritare.
Fillimisht në vitin 2013, përmes një kredie nga Banka Botërore me vlerë 85.3 milionë dollarë, “Projekti i Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri” synonte përmirësimin e rrjetit ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit.
Ndërsa në fillim të këtij viti u miratua kërkesa për zbatimin e projektit për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit për zonën e qytetit, në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe u miratua me anë të Agjencisë Franceze për Zhvillim, një tjetër kredi me vlerë 60 milionë euro.
Kompania ka shënuar rekorde negative në disa auditime të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar punime të parealizuara, por të certifikuara, pagesa për punime të pakryera dhe kompani të cilave i mungonin certifikimet e nevojshme “ISO” për punimet e ujësjellësit.
Në përgjigje me shkrim, Ujësjellës-Kanalizime Durrës i tha BIRN se objektivi i kredisë së parë nga Banka Botërore kishte qenë shtimi i kapaciteteve, përmirësimi i humbjeve teknike, zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në zonat rurale, përmirësimi i orareve të furnzimit me ujë, rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve në zonën e Plazhit dhe zgjerimi i rrjetit në zonën urbane pranë Vollgës.
Por përhapja e investimeve në një plan të gjerë, për ekspertët është tregues i menaxhimit të dobët, që nuk e zgjidh problemin, por e shtrin atë në kohë.
“Mendoj se duhet filluar me zonën që ka amortizimin më të madh sepse po u punua me copa, nuk do të ketë rezultat asnjëherë,” tha Avni Dervishi, inxhinier i profilizuar në çështjet e ujësjellës-kanalizimeve në vend.
“Nëse investohet sot në një linjë kanalizimesh, pas 10 vitesh ajo do të bëhet e vjetër dhe nuk ke bërë asnjë gjë sepse përsëri sistemi do të bjerë në kolaps”, shtoi ai.
Qytetarë të diskriminuar
Nga 94 mijë kontrata shërbimi që janë të lidhura me ujësjellësin, vetëm 14 për qind i përkasin zonave të mbipopulluara të Shkozetit, Ish-Kënetës, Spitallës dhe Porto-Romanos, ku rrjeti i kanalizimeve në pjesën më të madhe të tyre mungon, duke sjellë shqetësime për banorët.
Banorët e zonës informale të ish-Kënetës shprehen se kërkesat drejtuar ndërmarrjes së ujësjellësit për trajimin e ujërave të zeza, kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Të gjitha ujërat e zeza janë në kanal, masakër mjedisore, bombë ekologjike dhe biologjike për këtë popull dhe këta vetëm me kaq duhet të hyjnë në burg të gjithë,” përkufizoi i revoltuar gjendjen mjedisore në ish-Kënetë, Baki Myrtollari.
Aqif Kurti së bashku me banorë të tjerë të njërës prej zonave më “të infektuara” nga ujërat e zeza, doli në protestë në maj të vitit 2021, duke kërkuar që të marrin vëmendjen e qeverisë për investime në zonë.
“Probleme të tjera kemi, sepse ato krijojnë erë edhe kohën e verës, me mushkonjat, dimrit se mbushen dhe bllokohen,” thotë Kurti.
Në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, ata e referuan rastin tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili përmes vendimit numër 61, të 13 prillit 2021, vendosi, “Konstatimin e diskriminimit të banorëve të zonës së ish-Kënetës, në rrugën ‘Gjelbërimi’ dhe në rrugën ‘Azem Hajdari’, për shkak të vendbanimit, nga ana e Bashkisë Durrës”.
Pas vendimit, Myrtollari dhe një grup banorësh iu drejtuan Gjykatës Administrative Durrës me qëllim evidentimin e përgjegjësive institucionale dhe dëmshpërblimin për dëmin e shkaktuar nga ndotja mjedisore dhe mos ofrimi i shërbimit.
“Deri më sot ajo [gjykata] nuk e ka marrë [në shqyrtim],” tha ai. “Ne kemi bërë kërkesë që të përshpejtohet se ka nga këta pleqtë që do të vdesin dhe nuk do të arrijnë të bëjnë gjyqin,” apeloi Myrtollari.
Më 28 tetor të vitit 2021, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u detyrua që në foltoren e Kuvendit të jepte llogari për situatën e investimeve në zonë, pasi Myrtollari dhe banorët e tjerë e referuan kauzën përmes deputetit të opozitës, Ferdinand Xhaferaj.
“Pas protestave, peticioneve, banorët e ‘Rrugës Gjelbërimi-Azem Hajdari’, pasi këta nuk na morën parasysh, ne ju drejtuam Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe atje ne kërkuam interpelancë me zëvendëskryeministrin”, kujtoi Myrtollari.
Ujërat e ndotura derdhen në det
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ujërat urbane në qytetin e Durrësit shkarkohen në det në disa zona. Nga monitorimi i shkarkimeve ne tre pika monitorimi, lënda pezull është vlerësuar mbi normë për vitin 2022 në dy prej tyre, në stacionin e Porto-Romanos (hidrovori) dhe tek Currilat, në det.
Përveç Porto-Romanos, sipas AKM-së situata mjedisore me ujërat e zeza vijon të jetë e rënduar edhe në pika të tjera të bregdetit të Durrësit. Agjencia sipas një shkrese të datës 13 qershor 2023, e njoftoi Bashkinë Durrës dhe ujësjellësin se, “…vazhdon të jetë problematike me një ndotje të lartë mikrobike stacionet pas Kanalit tek Plepat dhe Shkëmbi i Kavajës”.
Shkresa njoftonte edhe për një pikë të konstatuar aty pranë, e cila njihet si “Përroi i Agait”. Pavarësisht se kërkohej për të disatin vit rresht marrja e masave, ujësjellësi nuk ka mundur ta përmirësojë situatën sepse të dy këto kanale mbledhin shkarkimet e ujërave të zeza të njësive administrative.
Në një tjetër pikë të rëndësishme për turizmin e Durrësit, në Shëtitoren Taulantia, vijon të jetë aktiv një tubacion për shkarkimin e ujërave të patrajtuara të lagjes numër 1, ku janë vendosur shumica e hoteleve, restoranteve dhe e bizneseve turistike të qytetit.
Ujësjellësi i Durrësit pranoi se ka disa pika për shkarkimin e ujërave të zeza në det përgjatë bregdetit dhe 2 të tilla janë tek zona e Vollgës, por sipas tij ato aktivizohen vetëm në raste shirash të dendur dhe kur ka rrezik për përmbytje, për shkak se kanalizimet mbledhin edhe ujërat e shirave.
“Kurse gjatë shirave me intesitet të lartë, duke qenë se stacioni nuk arrin të përballojë prurjet e ujërave të zeza dhe të shiut të shtuara, jemi të detyruar të hapim portat dhe të shkarkojmë në det,” sqaroi Ujësjellësi.
Hidrobiologu Olsi Nika tregoi se gjatë përgatitjes së një raporti për vlerësimin e ujërave sipërfaqësore në sistemin e kanaleve të kullimit të Ish-Kënetës, niveli i ndotjes ishte shumë i lartë përgjatë zonës së banuar.
“Në të gjitha stacionet që ne morëm mostra uji, absolutisht ndotja ishte maksimale, në kuptimin që shkalla e cilësisë së ujërave ishte ‘shumë e keqe’ në shumicën e stacioneve, ndoshta ‘e keqe’ ose më pak e keqe ka qenë në pjesën e begdetit sepse deti sado asimilon, e ka aftësinë vetëpastruese më të madhe,” tha Nika.
Prof. Dr. Aleko Miho thekson se niveli i lartë i ndotjes së konstatuar përbën rrezik për shëndetin e njeriut.
“Për jetën e njeriut, padiskutim këto bëhen shpesh burim epidemish ose edhe pandemish,” tha ai. “Sa herë që ne shkarkojmë në lavamane, në bidetë tona ujëra brenda tyre, mbarten shumë baktere patogjene, viruse, myqe dhe të tjera, të cilët janë shkaktarë sëmundjesh nga më të ndryshmet,” shtoi Miho.
Shkarkimi i ujërave të ndotura në det ka sjellë rritjen e ngarkesës mikrobike në plazhet më popullore të Durrësit.
Nga vëzhgimi i BIRN, një prej 2 pikave të shkarkimit në shëtitore, një tub betoni, komunikonte me ujërat detare përgjatë stinës së thatë të verës dhe nga ana tjetër, stacioni i pompimit në zonën e Ish- Kënetës, i cili përcjell ujërat e zeza për në impaintin e përpunimit, shkarkonte përmes një dritareje në pjesën e poshtme, ujëra të zeza që më pas përfundojnë në det përmes Porto-Romanos.
Nga të dhënat që Agjencia Kombëtare e Mjedisit i vuri në dispozicion BIRN, rezulton se për ngarkesat mikrobike 7 stacione monitorimi janë mbi normën e lejuar për “Escherichia Coli (FC)” dhe 14 stacione monitorimi janë mbi normën e lejuar të “Enterococcus Intestinalis (IE)”,
Norma e lejuar e IE-së është 100, ndërsa “Pas Kanalit në (Plepa)” ajo rezulton në vlerën 2879 dhe në “Plazhin Zhiron (Kështjella)”, rezulton në vlerën 1210.
Sipas Olsi Nikës, shkarkimi i ujërave të zeza në det përbën rrezik për shëndetin e përdoruesve të plazhit.
“Krijohen një sërë problemesh, duke filluar që nga infeksionet e lëkurës deri tek infeksionet më të rënda, që mund të hyjnë edhe në rrugët e frymëmarrjes, të gjakut,” përfundoi ai./ BIRN