Ndryshe nga rivalët historikë të Partizanit, të cilët zhgënjyen në transfertën ndaj BATE Borisov, “bardheblutë” e Tiranës kanë triumfuar në transfertën e gjeorgjianëve të Dinamo Batumi, teksa i kanë mundur këta të fundit me rezultatin e ngushtë 1 me 2.
Dominimi i kryeqytetasve erdhi që në pjesën e parë të sfidës, me “heroin” e përballjes së parë, Regi Lushkja, i cili u kthye sërish në protagonist duket tundur rrjetën e Chichkan në minutën e 28’-të të sfidës, duke e mbyllur kështu pjesën e parë, me avantazhin 0 me 1, në favor të skuadrës së Orges Shehit.
Me fillimin e pjesës së dytë, vendasit e Batumit rrezikuan shumë herë portën “bardheblu”, por një super Gentian Selmani mbrojti denjësisht “shtyllat” e Tiranës. Aty ku u duk se përballja do të mbyllej në rezultatin 0 me 1, në minutën e 78’-të nga një gafë e mbrojtjes gjeorgjiane përfiton sulmuesi Florent Hasani, i cili pason për mesfushorin Ardit Deliu, me këtë të fundit që çon topin në rrjetë duke vulosur kualifikimin e “bardhebluve”, pavarësisht golit të Kapanadze të shënuar në minutën e 90’-të të sfidës.
Me këtë fitore, “bardheblutë” e Orges Shehit sigurojnë kualifikimin për në fazën e dytë kualifikuese të Conference League, ku këtë herë do të kenë një kundërshtar tejet të vështirë si “gjigandët” turq të Besiktas.