Agron Gjekmarkaj, deputeti i PD, ka folur sot në një intervistë për Neës24 rreth farsër së 29 korrikut të Lulzim Bashës.
I njohur si mbështetës i tij deri pak kohë më parë, edhe Gjekmarkaj është bindur se Basha jo vetëm që nuk e çon më PD në fitore, por ka për qëllim mbajtjen peng të saj deri në asgjesim të plotë.
Zgjedhjet e 29 korrikut ai i cilësoi si një tentativë e Bashës për të marrë “leckat e fundit nga një gjë që po zhduket”.
“Pas një partie të rrënuar, shoh një tentativë për të rrëmbyer leckat e fundit të një gjëje që po zhduket, PD zyrtare, dhe po e bën Basha me zgjedhjet e 29, me një grup të vogël njerëzish që nuk kanë lidhje me realitetin, por kanë lidhje me Bashën”, tha ai.
Sakaq, rikthimin e tij, Gjekmarkaj e komenton kështu: Nuk ka më një PD, ka një vulë dhe disa zyra me qira dhe rreth 100 njerëz në dispozicion të Bashës, aq njerëz sa grumbullohen në një fejesë apo në një ditëlindje. Thjeshtë kanë një vullnet, ose investimin tek zoti Basha. Është një Kryesi e delegjitimuar. Rikthimi i tij është interes personal, dhe dëshira për të mbetur në politikë dhe të mbijetoj sa më gjatë për t’i shërbyer vetes. Një ego e shfrenuar për t’i dhënë jetë një gjëje që po vdes vetëm për ego personale”, tha ai.
Mbledhjen e Këshillit ai e cilëson si një mbledhje të çuditshme, teksa shton se zgjedhjet e 29 korrikut do të jenë qesharake.
“Ishte një mbledhje e çuditshme. U mblodhën në një hotel për të krijuar legjetimitet nga hiçi, është parti pa struktura, çdo gjë është e gjymtuar, në 29 korrik do jetë qesharake dhe komike dhe do ta shihni sa veta do e votojnë Bashën. Por dëmton opozitën”, u shpreh deputeti.