Ligji për strehimin social, i cili synon të lehtësojë kushtet për të blerë një shtëpi për familjet e reja, ato të varfra e të pafavorizuara, punonjësit e administratës publike dhe familjarët e mjekëve që humbën jetën nga Covid-19 ka marrë dakordësinë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Por nisma kundërshtohet nga ndërtuesit, pasi i merr sektorit 3 për qind të sipërfaqes mbi 2 mijë metra katrorë për efekt të strehimit social.
“Duhet të themi se edhe këto ndryshime, ashtu si më parë janë të pakonsultuara me ne si grup interesi. Në këto ndryshime, qeveria nuk ka marrë parasysh rishpërndarjen e barrës duke na i ngarkuar vetëm ne”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.
Kjo vendimmarrje sipas kryetarit të shoqatës së ndërtuesve, Erjon Harizi, në fund do të bjerë në kurrizin e qytetarëve.
“Presupozohet se ne po taksojmë ndërtuesit, por në fakt po taksojmë blerësit fundorë. Do të kemi diskutime në bord për të dalë me një vendimmarrje”, theksoi Harizi.
Pas “dritës jeshile” në komisione, ligji “Për Strehimin Social” do të kalojë në seancat e ardhshme për votim në Parlament.