Kandidati i opozitës për Klosin: Kam prova për blerje votash nga Balluku

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për qytetin e Klosit, Bedri Hoxha denoncoi dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14-majit se ministria e Belinda Ballukut po shantazhon punonjësit e qytetit me heqjen nga puna, nëse ata nuk votojnë kandidaten e Partisë Socialiste.

Hoxha tregoi në Syri tv se në telefonin e tij vijnë mjaft ‘denoncime’ nga banorët e Klosit të cilët shprehen se janë kërcënuar me heqjen e ndihmës ekonomike, nëse ata nuk dilnin në takimet elektorale të mbajtura nga kundërshtarja e tij politike.

Bedri Hoxha“Mund të them që është instaluar gjithë ministria e zonjës Balluku, drejtorët e saj janë prej muajsh në Klos dhe Mat kryesisht. E gjithë struktura shtetërore edhe pse janë totalisht në shkelje të Kodit Zgjedhor, nuk po lenë formë e metodë pa përdorur, duke shantazhuar punonjësit e administratës, sektorin e arsimit, shëndetësinë, policinë e shtetit, njerëzit që janë trajtuar me asistencë sociale, pra gjithçka këtu është në kontrollin e zonjës Balluku dhe të kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Këto ditë Klosi dhe i gjithë Mati ngjan me një Mitrovicë, ashtu siç e ka quajtur vetë zonja Balluku, pra polici pafund, kontrolle, shantazhe, bllokime të makinave, gjoba kontrolle ndaj biznesit, edhe pse këto janë totalisht të padrejta.

Kam plot fakte e prova edhe të tentimit të blerjes së votave po nga drejtorët e zonjës Balluku, pra është një garë totalisht e padrejtë, gjithsesi ne do të rezultojmë fitues në këtë garë dhe kjo është e padiskutueshme pasi banorët e Bashkisë së Klosit janë mësuar me të tilla represione nga regjimi aktual dhe kanë dëshmuar se nuk shantazhohen dhe nuk e hanë presionin dhe të jeni të sigurt që me 14 maji do të ketë pjesmarrje të kënaqshme në votime dhe do të votojnë kundër kësaj qeverie në pushtet, kundër këtij pushteti lokal që në këto 4 vite, edhe pse edhe qeveria dhe bashkia janë drejtuar nga partia socialiste në Bashkinë e Klosit pothuajse nuk është bërë asgjë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko