Ajri që thithim në Tiranë është i ndotur në nivele alarmante me një substancë të quajtur benzen.
Në Task Force me gazetaren Sonila Meço, mjeku Ilir Alimehmeti, njëkohësisht kryesues i listës së këshilltarëve për këshillin bashkiak të Tiranës, tregoi efektet e benzenit në organizimin e njeriut.
Alimehmeti deklaroi se benzeni është substanca më kancerogjene, e klasifikimit të parë, që është njohur deri tani.
Benzeni emetohet nga nafta e cilësisë së dobët që djegin automjetet në Tiranë, duke çliruar në atmosferë këtë lëndë kancerogjene.
“Efekti i benzenit në trupin e njeriut është çdolloj e keqe e mundshme e imagjinueshme, duke filluar nga kanceri i cili në Shqipëri i kushton jetën 9 qytetarëve në ditë. Të dhënat nga INSTAT, mund të jetë edhe më shumë. Por tumoret malinje janë problemi madhor kryesor i benzenit, duke marrë çdo lloj tumori, por në moshat e vogla leuçemitë dhe tumori i çdo lloj organi tjetër. Është lëndë kancerogjene e klasifikimit të parë dhe më kancerogjenët që kemi të njohura. Por ku ndodhet benzeni? Ekspertët thanë duhet të shihni edhe cilësinë karburantit, një cilësi karburanti i dobët bën që të kalohen ato parametra më lehtë. Është edhe sa djeg dhe çfarë cilësie është kjo lëndë që digjet. Ne i kemi të dyja, kemi edhe trafik të rënduar, djegim shumë sasi karburanti, por kemi edhe karburant të dorës së dytë apo tretë. Janë makinat e vjetra, pa filtra, trafiku i rënduar në Tiranë. Eshte detyrë e pushtetit vendor të kontrollojë dhe monitorojë cilësinë e ajrit. Dhe i kërkon pushtetit qendror të marrë masa për cilësinë e karburantit, se ky karburant po qarkullon në qytetin tim dhe po shkakon sëmundje“, u shpreh Alimehmeti.
“Benzeni është një gaz i rëndë që tenton të shkojë përposhtë. Duke shkuar përposhtë shkon sa më afër tokës. Kush kalon sa më afër tokës? Fëmijët. Dhe nuk është çudi që të jenë fëmijët më të prekurit nga kjo ndotje. Dhe kemi një heshtje absolute nga çdo lloj organi, painteresim total. Benzeni do helmojë njësoj si fëmijët, të moshuarit dhe çdo tjetër. Është kaluar me disa fish niveli i pranuar nga BE. Ndryshe është limiti që e vendosin shtetet dhe ndryshe limiti që vendos shëndetësia. 5 është maksimali, shëndetësia e kërkon zero“, theksoi më tej ai.