Edi Rama ka shfrytëzuar një forum ndërkombëtar si ai ekonomik i Delfit për te bërë fushatë për vëllain e tij Erdogan, në vështirësi sipas mediave perendimore përballë koalicionit opozitar në zgjedhjet presidenciale të 14 majit. Pikërisht në Greqi përballë një publiku të huaj kryeministri shqiptar ka thënë se ai është i njëanshëm në këtë garë pasi ka një miqësi të vecantë me Raisin turk; “Jam mik i ngushtë i Erdogan, ka bërë një punë të shkëlqyer për shndërrimin e Turqisë”. As vendi që zgjodhi për ta bërë këtë deklaratë dhe as koha (2 javë para zgjedhjeve) nuk lejojnë asnjë dyshim se ajo ka nuanca elektorale.
Në fakt nuk është hera e parë që ndodh kështu. Edhe pesë vite më parë atëherë kur vëllai Rexhep tentoi me anë të një kushtetute të prerë si kostum me porosi të shndërrohej në sulltanin e ri të Turqisë, Rama e mbështeti atë publikisht. Ai dha një intervistë të posatçme nga Tirana për “Anadolu Agency” ku theksoi admirimin për të:
“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdogan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën.
Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni.
Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo’”. Ndonëse ne bilancin e athershëm të Erdogan numëroheshin 120 gazetarë të burgosur, 50 mijë persona të arrestuar si të dyshuar për bashkëpunim me puçistët e verës 2016, 140 mijë funksionarë, profesorë dhe jurist të pushuar nga puna, kryeministri demokrat shqiptar nuk pati skrupuj të bënte thirrje për fitoren e tij në zgjedhjet e 24 qershorit 2018.
Në fakt kjo mbështetje nuk ka vetëm një kah. Nga ata e tij presidenti turk është angazhuar shumë më tepër që Rama të qëndrojë në pushtet.
Të gjithë i mbajnë mend batutat e Edi Ramës me Erdoganin, në 6 janar2021, në Stamboll, kur kryeministri shqiptar e vendoste në sedër duke i ngritur pikëpyetje autokratit turk nëse do ta mbaronte spitalin e Fierit në kohën e premtuar dhe ky i fundit i përgjigjej me tre gishtat lart: “Po Edi, do ta kesh gati për zgjedhje”.
Tre muaj e gjysëm më pas, në 21 prill, Edi Rama e mbylli fushatën elektorale në spitalin turk me një urim nga Raisi, që dëshironte fitoren e rilindjes dhe bashkëpunimin e mëtejshëm.
“I dashur Edi Rama dhe ministra të qeverisë shqiptare. Ju përshëndes me respekt. Ju përgëzoj të gjithëve dhe për muajin e Ramazanit dhe uroj që ky muaj të sjellë shëndet e mirësi për vëllezërit e mi shqiptarë. Kemi përforcuar marrëdhëniet shqiptaro- turke, duke rritur partneritetin tonë strategjik. Besoj se do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen”, tha ai në një video mesazh.
Por kjo nuk qe ndihma e vetme që lideri i Ankarasë i dha “vëllait” të tij për zgjedhjet politike.
Në pikën e vet më të të zezë, kur pandemia po bënte kërdinë në fillim të 2021, Rama u drejtua nga Erdogan për të siguruar vaksinat kineze. Pasi Covax po sillte doza me pikatore, pasi Pfizer dërgontr aq doza sa për të larë gojën, pasi BE e la jashtë vëmendjes krejt Ballkanin Perendimor, vetëm falë ndërhyrjes së Erdoganit, Edi Rama ia doli të imunizojë popullsinë me SinoVac.
Përpjekjet e sulltanit të ri otoman për të ndikuar në zgjedhjet shqiptare nuk u mjaftuan vetëm në tregun e brendshëm. Me aq sa kishte mundësi, regjimi turk u përpoq t’i jepte kanakarit të tij në Tiranë edhe një aureolë ndërkombëtare. Pas pritjes madhështore që Erdogan i organizoi Ramës në Ankara, ai u përpoq t’i jepte atij edhe rolin e negociatorit për marrëveshjen e hapësirës detare të mesdheut lindor mes Turqisë dhe Greqisë. Ministri i jashtëm turk, Mevlud Çavushoglu deklaroi personalisht në 11 janar se donte ta linte në duart e shefit të qeverisë shqiptare këtë stafetë.
“Ftojmë Greqinë që të zhvillojmë mbledhjen e parë eksploruese të bisedimeve brenda muajit Janar. Pas takimit të parë, jam i gatshëm të shkoj në Tiranë për të takuar Dendiasin me ftesë të Ramës. Shpresoj që Greqia të mos e refuzojë këtë mundësi dhe së shpejti të nisim bisedimet eksploruese”, deklaroi ai.
Ndonëse një ofertë e tillë u shmang me përbuzje nga Athina që e hodhi poshtë një rol ndërkombëtar për Ramën, aureola e një njeriu që i tejkalon përmasat e ngushta të Shqipërisë u përdor shumë nga njerëzit pro Ramës në prag të fushatës. Madje një analist pro tij, e krahasoi sy më sy me rolin e Ali Pashë Tepelenës në historinë e këtij vendi.
Pra para dhe pas fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme 2021, Erdogan, konkretisht, politikisht dhe ndërkombëtarisht ka mbështetur fitoren e një mandati të tretë të kryeministrit aktual.
Një vit e gjysëm më parë Erdogan nuk bëri gjë tjetër vecse persëriti mbështetjen që i dha “vëllait” të tij politik edhe në zgjedhjet e vitit 2013 kundër Berishës atëhere në qeveri, edhe kundër Bashës në 2017.
Tetë vite më parë, lideri turk, atëherë kryeministër, u bë i pari udhëheqes botëror në detyrë që e priti Ramën gjatë fushatës elektorale në 30 maj 2013. Mëria e sulltanit të Bosforit me Berishën dhe fakti që ky i fundit nuk kishte pranuar të votonte njësoj si Turqia për rastin e Palestinës në OKB, e bëri Erdoganin të merrte krahë në fushatën elektorale që e solli kryesocialistin në pushtet. Atëhere Edi Rama u foli shqiptarëve duke pasur në sfond pallatin e Dollmabahçesë dhe duke u premtuar se së bashku me vëllain Taip “do të bëjmë të mundura gjëra që duken të pamundura”. Pas takimit, Edi Rama shkroi në faqen e tij në Tëitter se kujtimi më i bukur nga kjo vizitë ishte libri që i dhuroi kryeministri Erdogan me dedikimin: “Të dashurit Edi Rama me urimet e mia për sukses…” T. Erdogan! (faksimilja poshtë)
Katër vite më pas Erdogan përsëriti të njëtën fabul. Ai pranoi gjatë fushatës një intervistë në Top Story me Sokol Ballën, ku nuk e fshehu mbështetjen për Ramën. (faksimilja poshtë)
Menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, vizita e parë dy palëshe që bëri Rama, ishte ajo tek partneri i tij strategjik turk te cilit me sa mundet po i kthen reston në ditën e vet më të vështirë.