Joshje dhe kërcënime për votuesit e opozitës, Rama po shkel hapur Kodin Zgjedhor. KQZ hesht!

0
151

Nga Enton Abilekaj

Kryeministri i është rikthyer fushatës me një ritëm tjetër pas operacionit. Madje ka harruar edhe premtimin që 2 javet e para të fushatës nuk do kishte fjalime por mbjellje pemësh. Jo vetëm flet, por edhe kërcen me ritmet e tallavasë, në përpjekje për tu dukur politikan i ri dhe i pakonsumuar në kontrast me kundërshtarët e tij. Përtej makiazhit të dobët të politikanit trendi, del po ai politikan që, duke instaluar pushtetin personal, nuk pyet as për ligjet, as për kodet, del po ai Kryeministër që prish garën për ta fituar ai në tavolinë.

 

Dje dhe sot, në mënyrë të hapur, ka përdorur joshjen dhe kërcënimin ndaj votuesve, mesa duket i sigurtë për imunitetin që ka ndaj drejtësisë. Në Kamëz deklaroi: Nëse fiton Rakip Suli do katerfishohen investimet e Qeverisë, nëse ia jepni atij tjetrit në qafë paçi veten.

Kush do fusi gomarin me dy veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ne nuk mundet kurrë që të na vënë para këta medemek në emër të votës, të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur non grata, jo nga unë por nga SHBA-të”, tha Rama.

 

Në Elbasan sot deklaroi se nuk do të ketë asnjë fond nga qeveria për Elbasanin nëse fiton Luçiano Boçi.

 

Një mesazh kam unë. E kam shumë të thjeshtë dhe shumë të qartë. Me kandidatët e zorrës qorre që largqoftë dikush, diku, i çon në zyrën e bashkisë nuk ka bashkëpunim. Nuk ka. Nuk ka se si të ketë. Nuk ka sesi të ketë sepse arsyeja pse ata janë vendosur këtu, atje, atje,” tha Rama.

Për të shmangur këtë gjuhë të turpshme nga ndonjë Kryeministër i papërgjegjshëm që, për më shumë pushtet personal mund të bëjë gjithçka, Kodi Zgjedhor është treguar i kursyer, por jo indiferent. Në pikën 7 te nenit 78, ku flitet për të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës, kodi e përcakton këtë që po bën Kryetari i PS, shkelje që ndiqet penalisht.

 

“7. Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike,” thuhet në Kodin Zgjedhor.

Kjo është pika 7, që ndalon dhe ngarkon me përgjegjësi penale atë që premton favorizime për zgjedhësin për të votuar në një mënyrë të caktuar. Kaq mjafton që Komisioneri Zgjedhor i pari t’i kërkojë Kryetarit të PS që të ndalojë joshjen dhe aq më tepër kërcënimet, por edhe organeve të drejtësisë që ta ndjekin këtë shkelje të hapur, që kodi zgjedhor e dënon penalisht.

 

Te kërkosh nga Drejtësia të procedojë Edi Ramën, kur as 1 për qind e padive të opozitës ne 2021 nuk u prekën me dorë, është naivitet, por kjo nuk e ndryshon faktin që Rama është duke shkelur rëndë Kodin Zgjedhor dhe duke goditur rëndë barazinë e kandidatëve në garë. Kryeministri është duke kërcënuar qindra mijë shqiptarë, votues të opozitës, se nuk do të shohin asnjë cent investim, se taksat e tyre do shkojnë vetëm atje ku fiton Rilindja, se administrimi i taksave bëhet sipas tekave të një njeriu dhe se kriteri i vetëm është ai partiak, ose më saktë sektar./Dosja.al/

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here