Bardh Spahia, kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, i cili kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit, e ka vënë theksin sot tek arsimi, tek plani i tij për shkollat, kopshtet dhe çerdhet në këtë bashki.
“Arsimi mbetet një shtyllë e fortë e cila do të ketë mbështetjen maksimale të bashkisë së Shkodrës, – tha Spahia, pas takimit që zhvilloi me arsimtarët. – Ky vit ishte një sfidë për sa i përket investimeve që kemi kryer në shkolla, kopshte e çerdhe, duke krijuar kushte bashkëkohore në këto institucione arsimore.
Pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me edukator/e të kopshteve e çerdheve, ku folëm për këtë qasje të re, por edhe nevojat që kanë për të cilat do të punojmë në vazhdimësi që t’i përmirësojmë:
Eliminimi i ngrohjes me gaz dhe zëvëndësimi me kaldaja dhe sisteme bashkëkohore. Rritje e numrit të kopshteve që ofrojnë shërbimin e drekës. Investime për eficiencë energjitike të ndërtesave dhe vendosja e paneleve diellore per kopshtet. Edukatorë shtesë për fëmijët PAK dhe përjashtimi nga tarifat e frekuentimit të kopshtit për këto fëmijë.
Janë këto ndryshime që i kemi nisur dhe do t’i shtrijmë në të gjitha këto institucione. Fëmijët dhe stafet edukative meritojnë më shumë dhe e ardhmja iu përket atyre,” theksoi Spahia.