Rimëkëmbja ekonomike jashtëzakonisht e shpejtë e Kinës

Rihapja e vendit do të nxisë rritjen globale, ndoshta në një mënyrë të pakëndshme, shkruan The Economist

 

Gjatë festës së vitit të ri hënor në Kinë, turistët u dyndën në mauzoleun Taihao në provincën Henan. Shumë veta goditën me shuplakë statujën e Qin Hui, një zyrtari intrigant në dinastinë Song, i cili është i famshëm, sepse futi në kurth një hero ushtarak.

Një vizitor e teproi paksa, duke e goditur statujën me kapakun e një temjani. Ndjenjat negative ndaj kësaj figure po shtohen pasi djallëzia e Qin u shfaq në një film të ri, me titull “Lumi krejt i kuq”, i cili kryesoi listat gjatë periudhës së festave.

Nisja e xhirimeve të filmave, shëtitjet dhe goditja e statujave, është dëshmi e një rigjallërimi çuditërisht të shpejtë të konsumatorëve në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Mauzoleu ka mirëpritur 300,000 njerëz në periudhën e festave, shifra më e madhe në tre vjet.

Të ardhurat nga filmat jo vetëm që ishin më të larta se vitin e kaluar, por edhe më të larta se në vitin para se të godiste pandemia Covid-19. Popullsia e Kinës, e cila deri vonë duhej t’i nënshtrohej një kontrolli masiv, tani është ulur para ekraneve për të parë filma.

Rimëkëmbja po vjen më herët nga sa pritej, sepse virusi u përhap më shpejt. Që kur Kina braktisi me nxitim politikën zero-Covid, infeksionet duket se janë përhapur jashtëzakonisht shpejt. Epidemiologët vlerësojnë se të paktën 80% e popullsisë, tashmë është prekur nga kjo sëmundje.

Sipas shifrave zyrtare, numri i pacientëve të shtruar në spitale arriti kulmin më 5 janar. Një valë e dytë infeksionesh pritej pasi udhëtimet përhapën sëmundjen nga qytetet në fshatra. Por vala e dytë shumë e frikshme duket se është bashkuar me të parën, mendon Airfinity, një shoqëri e të dhënave.

Megjithëse numri i vdekjeve nga këto infeksione nuk dihet, pasojat ekonomike po bëhen më të qarta. Ndërsa njerëzit janë infektuar dhe shëruar nga virusi, ekonomia e Kinës po rigjallërohet.

Një indeks i aktivitetit jashtë sektorit të prodhimit, bazuar në anketat mujore të menaxherëve të blerjeve, u rrit nga 41.6 në dhjetor, në 54.4 në janar, rritja e dytë më e madhe e të gjitha kohërave. Xiaoqing Pi dhe Helen Qiao nga Banka e Amerikës, theksojnë se aktiviteti në sektorët e shërbimeve “të goditur nga pandemia”, si shitja me pakicë, hoteleria dhe ushqimi, është rritur ndjeshëm.

Në Meituan, një platformë e tregtisë elektronike, disa restorante kanë grumbulluar rezervime që arrijnë në 1000 tavolina. Njerëzit dikur prisnin në radhë për testet e Covid-19, por tani po presin të luten nëpër tempujt e njohur.

Në Hangzhou, kryeqyteti i provincës Zhejiang, njerëzit u mblodhën jashtë tempullit Linshun, në orën 4:00 të mëngjesit, për të ndezur temjan për Perëndinë e Begatisë. Të tjerë që arritën në majën e malit Tianmen në provincën Hunan, i famshëm për shtigjet e bukura, u detyruan të prisnin deri në orën 21:00 për të hipur në një teleferik, sipas gazetës shtetërore “National Business Daily”.

 

 

A mund të ruhet ky ritëm i furishëm?

Optimistët theksojnë se familjet kineze janë jashtëzakonisht elastike. Depozitat e tyre bankare tani tejkalojnë shifrën 120 trilionë juanë (18 trilionë dollarë), mbi 100% të PBB-së së vitit të kaluar dhe 13 trilionë juanë më shumë se sa pritej duke pasur parasysh prirjet para pandemike, sipas Bankës Citigroup.

Këto depozita ofrojnë mundësi për një periudhë shpenzimesh të larta, për të kompensuar kohën e humbur gjatë pandemisë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre rezervave janë para që familjet e shqetësuara i kanë mbajtur në bankë, në vend që t’i përdornin për të blerë prona, ose për të krijuar një fond të përbashkët. Nuk ka gjasa që tani familjet t’i shpenzojnë këto para për mallra dhe shërbime.

Sipas Bankës Citigroup, me shumë gjasa, do të vijë një periudhë e “ndërmarrjes së rrezikut” në shpenzime, teksa familjet bëhen më optimiste dhe blejnë asete më pak të sigurta, por potencialisht më shpërblyese se sa një depozitë bankare. Kjo do të ngrinte tregjet financiare dhe do t’i jepte një shtysë shumë të nevojshme sektorit të pronave.

Ndoshta një mënyrë më e saktë për të vlerësuar bumin e ardhshëm të shpenzimeve, është duke parë hendekun që ekziston midis të ardhurave familjare dhe shpenzimeve konsumatore. Në tre vitet para pandemisë, familjet kursyen 30% të të ardhurave të disponueshme.

Gjatë pandemisë, ato kursyen 33%. Rezultati total i këtij kursimi shtesë është rreth 4,9 trilionë juanë. Nëse konsumatorët do ta shtonin këtë vlerë në shpenzimet e tyre këtë vit, konsumi i tyre do të rritej me 14% (pa e përshtatur me inflacionin).

 

 

Vlera e saktë e shpenzimeve do të varet edhe nga kushtet më të gjera ekonomike. Çmimet e pronave kanë rënë dhe tregu i punës është i dobët. Papunësia e të rinjve është ende mbi nivelin 16%. Por tregu i punës në Kinë është rimëkëmbur shpejt pas pengesave të mëparshme të shkaktuara nga Covid-19, dhe të rinjtë e papunë përbëjnë vetëm rreth 1% të fuqisë punëtore urbane.

Me pak fat, shpenzimet shtesë do të rezultojnë në shitje më të larta dhe punësime më të forta, duke nxitur nga ana tjetër, shpenzime të mëtejshme.

E gjithë kjo do të thotë se konsumi mund të përbëjë pjesën më të madhe të rritjes së Kinës këtë vit: pothuajse 80%, sipas Bankës Citigroup, nëse përfshihen shpenzimet e qeverisë për shërbime. Kjo do të ishte përqindja më e lartë në më shumë se dy dekada.

Rritja e shpenzimeve në Kinë do të japë kontribut të mirëpritur në rritjen globale. Sipas parashikimeve të FMN-së, të publikuara më 30 janar, ekonomia e vendit do të rritet me 5.2% këtë vit, duke përbërë dy të pestat e zgjerimit të ekonomisë botërore. Së bashku, Amerika dhe Eurozona do të kontribuojnë me më pak se një të pestën.

Një studim i kohëve të fundit nga ekonomistët në Rezervën Federale të Amerikës, titullohet: “Ajo që ndodh në Kinë, nuk qëndron në Kinë”. Sipas vlerësimeve të studimit, një zgjerim prej 1% në PBB-në e Kinës si pasojë e ndryshimit të politikës, shton rreth 0.25% në PBB-në në pjesën tjetër të botës, pas një ose dy vitesh.

Autorët nuk shqyrtojnë efektet nga rihapja e Kinës. Por rezultatet e tyre nxjerrin në pah disa pasoja të mundshme. Nëse rihapja e Kinës rrit normën e rritjes së brendshme nga 3% në 5-6% këtë vit, PBB-ja në pjesën tjetër të botës, do të rritej me 0,5-0,75%, ose rreth 400 miliardë-600 miliardë dollarë me një normë vjetore.

Megjithatë, një rritje e tillë globale nuk do të kishte vetëm anë të mira. Bankat qendrore po përpiqen ende të frenojnë inflacionin. Nëse kërkesa më e lartë kineze shton presionet e çmimeve, politikëbërësit mund të ndihen të detyruar të ngadalësojnë ekonomitë e vendeve të tyre duke rritur normat e interesit.

Lael Brainard, nënkryetare e Rezervës Federale, ka vënë në dukje se braktisja e politikës zero-covid nga Kina, ka pasoja negative për kërkesën globale dhe inflacionin, veçanërisht për mallrat. Christine Lagarde, kryetarja e Bankës Qendrore Europiane, ka paralajmëruar se ndryshimi do të rrisë “presionin inflacionist”, sepse Kina do të konsumojë më shumë energji.

Sipas Bankës Goldman Sachs, rihapja e Kinës mund të shtojë 15-21 dollarë në çmimin e një fuçie nafte të papërpunuar Brent, që tani tregtohet me rreth 85 dollarë.

Pas krizës financiare aziatike në vitin 1997, ekonomia kineze ndihmoi në stabilizimin e rajonit. Pas krizës globale financiare një dekadë më vonë, rritja e Kinës ndihmoi në stabilizimin e botës. Këtë vit, ajo do të japë, edhe një herë, kontributin më të madh në rritjen globale.

Por ndërsa në të kaluarën, kontributi i Kinës vinte nga shpenzimet për investime, tani kryesori do të jetë konsumi. Konsumatorët kinezë, të cilët tradicionalisht nuk kanë pasur shumë peshë, tani do të godasin shumë më fort.

Përktheu: Lira Muça

MONITOR

Rimëkëmbja ekonomike jashtëzakonisht e shpejtë e Kinës

Ai aks, kurth për njerëzit”- Ahmeti: Po

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko