Komisionerja Publike, Irena Nino, kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Mariola Mërtiri, për shkak të problematikave në kriterin e pasurisë, të figurës dhe aftësive profesionale.
Magjistratja Mërtiri u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor të vitit 2022, nga një trupë ku ishte pjesë edhe komisionerja Pamela Qirko, motra e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Prokurorja Mërtiri është kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljas, dy ndër personazhet kyç të aferës së inceneratorëve.
Shkalla e parë e vetingut konstatoi lidhje të ngushta të prokurores edhe me Klodian Zoton, nëpërmjet punësimit të bashkëshortit të saj në kompanitë e “klanit të inceneratorëve” apo përdorimit të automjeteve të tyre.
Megjithatë, në përfundim, Këshilli i Pavarur i Kualifikimeve, me votë vendimtare të Pamela Qirkos, vendosi konfirmimin në detyrë të Mariola Mërtirit.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kundërshtoi menjëherë këtë vendim, duke rekomanduar shkarkimin e prokurores.
Komisioneri Publik, bazuar në këtë rekomandim, si edhe në konstatimet e saj, arriti në përfundimin se rasti i Mariola Mërtirit duhet ankimuar dhe i drejtohet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e saj nga detyra.
Komisionerja Publike ka renditur në ankim një seri problematikash, të cilat lidhen me burimin e ligjshëm të pasurisë së prokurores, me aftësitë profesionale të saj, si edhe për kontaktet e papërshtatshme me ata që konsiderohen si “bosët e inceneratorëve”.
Historia korruptive e koncesioneve për përpunimin e mbetjeve e ka vënë në vështirësi të madhe qeverinë e Edi Ramës. Pjesa më e madhe e kabinetit qeverisës, përfshirë edhe Belinda Ballukun, janë kallëzuar penalisht në SPAK për favorizimin e klanit të plehrave.
Ndërkohë, në media prej ditësh është publikuar një listë me gjyqtarë e prokurorë, të cilët nuk kanë pasur lidhje të forta me Partinë Socialiste në pushtet dhe që janë shkarkuar nga trupa të vetingut, ku ka qenë komisionere Pamela Qirko, motra e ministres Balluku.