VLERA E JETËS

0
143

Nga Luçiano BOÇI

U bënë disa ditë që jemi përmbytur me lajme dhe imazhe katastrofike nga Turqia dhe Siria. Të vdekurit, të plagosurit, njerëzit që humbën shpirtin dhe shpresën nën rrënojat e një ngjarje të papritur natyrore ulërijnë ende brenda vetëdijes sonë. Analistët ndërkohë po nxjerrin fakte që dëshmojnë se përmasat e katastrofës në Turqi kanë lidhje me korrupsionin e skajshëm të sektorit të ndërtimit dhe papërgjegjshmërinë e qeverisjes atje. Dhe për një çast unë zgjedh të ndalem e të pyes: Për cilat vlera të jetës ja vlen realisht të jetojmë?

Nëse gjithçka mund të na shembet brenda një minute, a ka kuptim ta tolerojmë në heshtje dhe në paqe korrupsionin e një pushteti, papërgjegjshmërinë e një elite politike? A bën sens ta pranojmë si normale një katastrofë institucionale, që shemb çdo ndërtesë ku banon logjika? A ka kuptim ta kqyrim si një fenomen natyror vrasjen me qëllim të funksioneve të shtetit për interesa personale, politike, partiake apo qeverisëse?

Si njeri dhe si shqiptar më vjen keq për çdo qytetar të një vendi mik, që ka rënë pre’ e kësaj fatkeqsie – pjesërisht ose plotësisht të shmangshme. Nëse do të krahasoja situatën sizmike të Turqisë dhe Japonisë, sigurisht nuk është shumë vështirë t’i nxjerrësh vetë ca përfundime.

Por si prind, si qytetar, si mësues, si përfaqësues politik dhe si veprimtar shoqëror që ka marrë përgjegjësitë e tij kam nevojë t’Ju pyes: A ja vlen të jetojmë kaq në heshtje, sikur të mos kishim ekzistuar kurrë? A duhet të vdesin me qindra e mijëra vetë për të matur dhe peshuar krimin institucional që sundon këtë vend dhe që vret çdo parim për të sunduar pa kushte?

Ne jemi përballë të njëjtave pasoja; presim vetëm pyetjen e duhur që të ndjehemi viktima, të qajmë, të mallkojmë fatin dhe të bëhemi sërish pluhuri elektoral që mbush kutitë e zgjedhjeve të vjedhura…

Çfarë duhet të ndodhë që të reflektojmë?

Sapo kemi provuar pa asnjë dilemë se KM ka favorizuar miqtë e tij duke vjedhur pasuri publike, për t’i bërë ata që të blejnë me korrupsion një zyrtar amerikan, të shantazhojë opozitën dhe të qeverisë i pabezdisur… Ai ka rrëzuar shtetin në çdo godinë të tij më keq se çdo tërmet dhe ka varrosur nën gërmadha çdo parim qeverisës demokratik.

Sa duhet të vriten nga korrupsioni shtetëror në Shqipëri për të kuptuar se Edi Rama nuk është një fatkeqësi natyrore? Se Rilindja nuk është mallkim por një superstrukturë që mund të largohet me votë, me protestë, me dinjitetin e kërkesës për vetë-respekt…

Për ta çmuar jetën, nuk ka nevojë ta humbësh më parë atë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here