Presidenti Bajram Begaj u rezervua të japë një vlerësim personal për çështjen McGonigal, ish-shefin e zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në New York, i cili është nën akuzë për fshehjen e takimeve me kryeministrin Rama dhe për pastrim parash.
Ai pohoi në emisionin “Pa Censurë” se nuk kishte biseduar me kryeministrin për këtë çështje, por është njohur nga media. “Pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe më pas të dal me opinionin tim personal”, tha Presidenti, i cili vlerësoi kërkesën e opozitës në SPAK për të hetuar këtë çështje dhe përfshirjen e Kryeministrit në dyshimet për të korruptuar zyrtarin e lartë të FBI-së.
“Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet”, pohoi Presidenti i Republikës për gazetaren Elona Meço në RTSH.
PJESË NGA INTERVISTA
Opozita ka paralajmëruar protestë që e lidh me aferën e ish zyrtarit të FBI-së dhe dyshimet se ai u korruptua nga qeveria e Shqipërisë. Si e keni përcjellë këtë lajm? I keni kërkuar kryeministrit ndonjë sqarim apo prokurorisë të hetojë?
Ju thashë dhe pak më parë. Jam një lexues dhe vëzhgues i rregullt i raporteve, si i atyre në vend, ashtu edhe i raporteve ndërkombëtare. Po kështu, jam informuar rreth çështjes që ju sapo përmendët, përmes medias dhe nëpërmjet informimit nga burime të hapura. Duke qenë një lexues i vëmendshëm, pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe më pas të dal me opinionin tim personal.
Për cilat institucione kompetente e keni fjalën?
Kjo është një çështje nën hetim dhe, sa kohë është një çështje nën hetim, ne duhet të presim derisa ajo të mbarojë.
Nën hetim është në SHBA.
Po, atje ka filluar.
Ka edhe një kërkesë nga opozita. A duhet të hetohet këtu?
Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet.